Me titullin kampion të Premier League që tashmë duket në xhep, Liverpool ka nisur punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm.
Klubi i “The Reds” ka surprizuar së fundmi duke rinovuar kontratat me dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit: Mohamed Salah dhe kapitenin Virgil van Dijk. Të dy ishin drejt fundit të kontratës dhe spekulohej largimi i tyre, por drejtuesit vendosën të mbyllin shpejt çdo dilemë.
Me miratimin e trajnerit Arne Slot, i cili do të marrë zyrtarisht drejtimin pas largimit të Jurgen Klopp, klubi është i vendosur të vazhdojë me strategjinë e “blindimit” të yjeve aktualë. Në radhë për rinovim janë tre emra të tjerë të rëndësishëm: Diogo Jota, Ibrahima Konaté dhe Luis Díaz.
Në veçanti, sulmuesi portugez Diogo Jota është përfolur për një transferim të mundshëm drejt Arabisë Saudite, por Liverpool është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë të re, pavarësisht një sezoni të vështirë për të, ku dëmtimet e kanë kufizuar dhe ka arritur të shënojë vetëm 6 gola në Premier League. Aktualisht, ai përfiton 140 mijë paund në javë, por konsiderohet ende pjesë thelbësore e projektit të ardhshëm.
Edhe Konaté e Díaz janë në planet afatgjata të klubit dhe rinovimet e tyre po përgatiten me kujdes. Liverpool nuk synon të ndalet vetëm te ruajtja e bërthamës së ekipit: këtë verë pritet të jetë shumë më aktiv në merkato krahasuar me vitin e kaluar, kur blerja e vetme e bujshme ishte ajo e Federico Chiesa.
Objektivat janë të qarta: ruajtja e titullit në Angli dhe rikthimi në nivelet më të larta të Champions League. Të kuqtë janë të vendosur që vera e 2025-ës të jetë ajo e një ndërtimi serioz për të dominuar në të gjitha frontet.