Shqipëria U-16 fiton

- Bota Sot

Shqipëria U-16 fiton

Shqipëria U-16 triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj San Marinos në ndeshjen e dytë të turneut “UEFA Development” për këtë grupmoshë.

Një fitore e merituar për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Andrea Tedesco, që veç fitores bëri edhe një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”.

Trajneri Tedesco hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Bjorni Betoja (GK), Alvin Zekaj (c), Elton Dodaj, Frensi Mali, Emiljano Malko, Eris Kurtulaj, Christian  Lila, Dion Vata, Kledio Ruci, Matias Zogu, Egzon Kajbe.

Përfaqësuesja shqiptare u shfaq dominuese që në minutat e para të takimit.

Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 14-të falë golit të realizuar nga kapiteni Zekaj, i cili ekzekutoi saktë një goditje dënimi, duke e dërguar topin në rrjetën kundërshtare.

Skuadra kuqezi nuk u ndal, por vazhdoi të ushtronte presion në zonën e San Marinos.

Në minutën e 30-të, Egzon Kajbe dyfishoi shifrat pas një gabimi të mbrojtjes kundërshtare, duke e bërë rezultatin 2-0.

Pak minuta para përfundimit të 45 minutave të para, kapiteni Zekaj realizoi edhe golin e tretë për Shqipërinë.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0.

Ky rezultat nuk ndryshoi në pjesën e dytë të takimit, pavarësisht përpjekjeve të skuadrave.

Ndeshja u mbyll me rezultatin 3-0 për Shqipërinë.

Në ndeshjen e paradites të luajtur në “Shtëpinë e Futbollit”, Kosova mundi Andorrën me rezultatin 2-1.

Sfidat e treta të këtij turneu do të luhen më 25 prill në “Shtëpinë e Futbollit”.

Shqipëria do të përballet me Kosovën në takimin e fundit në ora 15:00, ndërsa takimi i orës 11:30 do të jetë San Marino – Andorra.



Lexoni të gjitha në Bota Sot