Nuk do të jetë një derbi si gjithë të tjerët ai që do të luhet këtë herë mes Milanit dhe Interit, pasi në lojë është finalja e Kupës së Italisë. Kuqezinjtë janë në vendin e nëntë në Serie A dhe për ta, ky kompeticion mbetet rruga më e sigurt për të arritur një vend në Europë.
Humbja me Atalantën dhe rreziku për të mbetur jashtë garave ndërkombëtare e bëjnë këtë përballje vendimtare për Milanin, që synon të fitojë Kupën e Italisë dhe të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League.
Në anën tjetër, Interi kërkon të rikthehet te fitorja pas humbjes me Bolognën. Inzaghi dëshiron gjithashtu të mbajë gjallë ëndrrën për Tripletën dhe të fitojë më në fund një derbi këtë sezon, pasi në katër përballjet e fundit nuk ka arritur asnjë fitore (dy barazime dhe dy humbje).
Interi do të jetë pa Thuram, Dumfries dhe Zielinski, mungesa të ndjeshme, ndërsa në sulm do të luajë Correa përkrah Lautaro Martinez. Arnautovic dhe Taremi nuk janë në gjendjen më të mirë fizike, ndaj zgjedhja bie mbi dyshen argjentinase.
Për pjesën tjetër, Inzaghi do të hedhë në fushë titullarët e zakonshëm, me disa ndryshime: Dimarco rikthehet në vend të Carlos Augusto dhe Josep Martinez zë vendin e Sommer në portë.
Milan do të luajë me formacionin 3-4-3 dhe i beson sërish Tammy Abraham, që rikthehet si “njeriu i derbit”. Ai do të ketë përkrah Leao dhe Pulisic, ndërsa në mesfushë do të jenë Reijnders dhe Fofana.
Theo Hernandez dhe Jimenez do të operojnë nga krahët. Walker dhe Loftus-Cheek janë rikuperuar, por do të nisin nga stoli. Në mbrojtje, Conceição i beson Tomorit, Gabbias dhe Pavlovic për të ndalur Lautaron dhe për të mbrojtur portën e Maignan.
Një përballje që pritet të jetë e zjarrtë, me tension të lartë dhe me një biletë për në finalen e madhe në lojë – një tjetër kapitull emocionues në historinë e derbit të Milanos.