Barcelona ka mundur Majorkën me rezultatin e ngushtë 1-0, por mjaftueshëm për tri pikë që e çojnë në +7 në renditje nga Reali, në pritje të takimit të “los blancos” sonte në mbrëmje kundër Getafes. Trajneri i saj, Hansi Flik, është parë i kënaqur me fërshëllimat e fundit të gjyqtarit Ortiz Arias.
Ai që e di se çfarë do të thotë të fitosh trofe, e di fare mirë se sa vlerë ka ky sukses i ngushtë ndaj Majorkës. Duke folur pas takimit, ai është shprehur disi i habitur për rezultatin e ngushtë. “Natyrisht që jam i kënaqur, sepse kemi marrë një tjetër fitore.
Tri pikë më shumë, një ndeshje më pak për të luajtur që na afron me objektivin.
Nuk ka qenë e lehtë, por është e habitshme të shohësh se si një ndeshje e tillë përfundon vetëm 1-0. Kemi dominuar tërësisht, kemi krijuar shumë raste, por nuk kemi gjetur më shumë se një gol”, tha Flik. Trajneri ka folur edhe për rotacionin e gjerë të bërë dhe përgjigjen nga lojtarët. “Në përgjithësi jam i kënaqur me atë çfarë kanë bërë lojtarët në fushë.
Të gjithë duan të tregojnë se e meritojnë një vend dhe për këtë më vjen mirë”, tha trajneri i Barcelonës.