Komandanti i Policisë në Kaçanik transferohet në Ferizaj

- Bota Sot

Komandanti i Policisë në Kaçanik transferohet në Ferizaj

Komandanti aktual i Policisë së Kosovës në komunën e Kaçanikut, Halim Shehu, do të vazhdojë të mbajë detyrën në këtë komunë edhe gjatë ditës së sotme. Megjithatë, nga dita e enjte ai do të nisë zyrtarisht detyrën e re në qytetin e Ferizajt.

Në një prononcim për median, Shehu ka konfirmuar se është transferuar në Ferizaj, por theksoi se kjo lëvizje nuk ka të bëjë me ngjarjen tragjike të ndodhur së fundmi në Kaçanik, ku mbeti i vrarë polici Muhamet Lika.

“Jo, jo, nuk ka të bëjë me këtë rast. Thjesht nga tani do të jem në Ferizaj,” u shpreh shkurt Shehu, duke lënë të kuptohet se ndryshimi është pjesë e një rotacioni të brendshëm në kuadër të strukturave të Policisë së Kosovës.

Ky transferim vjen në një kohë të ndjeshme për komunën e Kaçanikut, e cila së fundmi është tronditur nga vrasja e një zyrtari policor në detyrë. Megjithatë, autoritetet e sigurisë kanë theksuar se operacionet policore do të vazhdojnë normalisht dhe se siguria e qytetarëve mbetet prioritet i pakompromis.



Lexoni të gjitha në Bota Sot