Kushtetuesja shfuqizon ligjin për KPM-në, AGK e mirëpret vendimin

- Bota Sot

Kushtetuesja shfuqizon ligjin për KPM-në, AGK e mirëpret vendimin

Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave. Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

"Gjykata njëzëri ka vendosur (i) të deklarojë kërkesat të pranueshme; si dhe (ii) të konstatojë se, nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3 të paragrafit 1 të nenit 15 (Zgjedhja e anëtarëve të KPM) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iii) të konstatojë se, nën-paragrafët 3.4 dhe 3.5 të paragrafit 3 të nenit 18 (Shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarit të KPM-së) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë se, nën-paragrafët 2.4 dhe 2.5 të paragrafit 2 të nenit 4 (Kompetencat e KPM-së), paragrafi 5 i nenit 25 (Leja e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre) dhe paragrafi 2 i nenit 43 (Rregullimi i pronësisë së të licencuarave/regjistruarave) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (v) të konstatojë se, pika 1.2.1 dhe pika 1.2.24, e nën-paragrafit 1.2 të paragrafit 1 dhe pikat 1.3.5 dhe 1.3.6 të nën-paragrafit 1.3 të paragrafit 1 të nenit 60 (Sanksionet me gjobë) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë se Ligji i kontestuar, shfuqizohet; si dhe (vii) të refuzojë kërkesat për masë të përkohshme”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.

Ky vendim është mirëpritur nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës.

"Gjykata konstatoi se Ligji nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave duhet të shfuqizohet dhe i njëjti të rishikohet bazuar në gjetjet e Aktgjykimit", thuhet në njoftimin për media të AGK-së.

Disa prej shkeljeve të gjetura kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve, shkarkimit të kryetarit, kompetencave të KPM-së dhe të tjera.

"Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me juristen e medias, Flutura Kusari e kishte dërguar opinionin e kërkuar nga Gjykata për këtë Ligj, dhe e mirëpret vendimin për shfuqizim, duke besuar se duhet një ligj i ri, me debat dhe përfshirje të gjerë publike dhe në linjë me standardet evropiane, duke respektuar rekomandimet e Këshillit të Evropës”, thuhet në reagimin e AGK-së menjëherë pas publikimit të vendimit nga Kushtetuesja.



Lexoni të gjitha në Bota Sot