Partizanit i shteruan energjitë në gjysmëfinalen e Kupës kundër Egnatias dhe në ndeshjen e fundit të kampionatit do të ketë përballë Elbasanin, skuadër me më pak ndeshje të luajtura së fundmi dhe me një ecuri pozitive prej 11 ndeshjesh.
Objektivi i parë i sezonit i iku nga duart Partizani, i eliminuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, i mundur 0-2 nga Egnatia në Arenën e Demave.
Edhe pse kishte fituar ndeshjen e parë, skuadra e Skënder Gegës u dorëzua pas 120 minutave, me kohën e rregullt që përfundoi me avantazhin 1-0 për miqtë. Tani në lojë është objektivi i dytë, ai i katërshes finale të kampionatit, me synim titullin, por edhe tifozët më optimistë të të kuqve mund të kenë rezerva.
Pas një pjese të parë të mirë, pas pushimit dhe në shtesë forcat e Partizanit shteruan, deri sa u dorëzua përfundimisht përballë kampionëve.
Të kuqtë kanë vetëm tri ditë për të karikuar bateritë e mbetura pa energji për ndeshjen më të rëndësishme, kundër Elbasanit. I vetmi element pro Partizanit është fakti që luan në shtëpi, pasi Elbasani vjen më i freskët, me dy ndeshje të luajtura më pak që nga rifillimi i kampionatit pas dy ndeshjeve të kombëtares në mars, me gjysmëfinalet e Kupës futur brenda programit të ngjeshur.
Pasi humbi vendin e katërt javën e kaluar me humbjen në Ballsh, tani Partizanit i bën punë vetëm fitorja për të rihyrë në katërshe. Sigurisht që nuk është mision i pamundur, por tepër i vështirë, duke ditur që përballë ka një skuadër me ecurinë më të gjatë pozitive, plot 11 ndeshje pa humbje. Verdheblutë nuk e njohin humbjen që nga 9 shkurti, me Egnatian, dhe që atëherë kanë arritur 5 fitore e 6 barazime.
Në të njëjtën periudhë kohore Partizani ka 7 humbje, 3 fitore e një barazim. Edhe trendi i ndeshjeve të fundit flet për Elbasanin, për të cilin barazimi me Vllazninë ndërpreu një seri prej katër fitoresh radhazi.
Partizani i ka fituar dy ndeshjet e fundit në shtëpi, por të njëjtën gjë ka bërë edhe Elbasani me dy ndeshjet e fundit në transfertë, të cilit i mjafton barazimi për të ruajtur vendin e katërt përballë të kuqve, me të njëjtat pikë po me avantazhin e përballjeve direkt, ku ka arritur një fitore e dy barazime, përfshirë edhe atë 2-2 në Arenën e Demave për javën e 18-të, më 14 dhjetor.