Lajme pozitive për Simone Inzaghin dhe Interin në prag të fundit të sezonit, ku përballja e dyfishtë ndaj Barcelonës është tashmë në horizont.
Pas një dite pushimi, skuadra u rikthye këtë mëngjes në stërvitje në qendrën sportive të Pinetinës për të përgatitur ndeshjen kundër Romës, e cila do të luhet të dielën në orën 15:00 në “San Siro”.
Sipas raportimeve të Sky Sport, dy lojtarë kyç, Piotr Zielinski dhe Denzel Dumfries, janë rikthyer në stërvitje me grupin pas një mungese prej disa javësh. Edhe pse nuk pritet të jenë titullarë ndaj Romës, prania e tyre në stol është pothuajse e sigurt dhe përbën një sinjal pozitiv në funksion të ndeshjes vendimtare në Champions ndaj Barcelonës më 30 prill.
Me rikthimin e Zielinskit dhe Dumfriesit, lista e mungesave zvogëlohet: jashtë mbetet vetëm Marcus Thuram, ende i dëmtuar, ndërsa për përballjen ndaj Romës Inzaghi nuk do të mund të llogarisë as në Alessandro Bastoni dhe Henrikh Mkhitaryan, të cilët janë të pezulluar.