“Fatmirësisht ende ka drejtues të mençur, me mend në kokë.
Pyes veten, pas asaj që kemi parë në sezonet e fundit: si mund të vihet në diskutim Simone Inzaghi?” Mjaftojnë këto fjalë hyrëse të Arrigo Sacchi, ish-trajner i famshëm dhe simbol i Milanit, sot opinionist, në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, për të kuptuar se në futboll e sheh veten shumë shpejt nga “parajsa” në “ferr”.
“Bota e futbollit, ndonjëherë, është e pakuptueshme. Po mirë, nëse edhe në Madrid kritikojnë Ancelottin, atëherë tashmë gjithçka është e mundur…”, – shton me ironi Sacchi, duke iu referuar kritikave ndaj trajnerit të Interit pas humbjes 3-0 ndaj Milanit, derbi i pestë pa fitore këtë sezon, që çoi në eliminimin nga Kupa e Italisë.
Një nga pikat më të kritikuara, përveç mungesës në finalen e Romës ndaj Bologna, është forma jo e mirë e skuadrës zikaltër. Sacchi vazhdon: “Le ta kthejmë filmin pas: mbas fitores në Mynih kundër Bayernit, trajneri Inzaghi ishte një fenomen, ndërsa pas 15 ditësh, më shumë a më pak, u kthye në një gomar?
Ta vësh një trajner në bankën e të akuzuarve sepse ka humbur një apo dy ndeshje nuk është mënyra ime e të menduarit. Sigurisht që mund të ketë bërë ndonjë gabim, nuk diskutohet kjo. Megjithatë, atyre që ankohen tani, iu them: a ju ka ndodhur ndonjëherë të gaboni, apo jeni të përsosur? Gabimi është njerëzor, nuk besoj se dikush mund të quhet imun”.
Kritika iu drejtuan Inzaghit edhe për përdorimin e rotacionit ndaj Milanit: “Nëse e ka bërë, do të thotë se kishte nevojë. Nuk njoh asnjë trajner që i shkakton vetes dëm me vetëdije. Sigurisht, ndoshta lojtarët e pankinës së Interit nuk janë në të njëjtin nivel me titullarët, por nuk ka skuadër, në gjithë Europën, ku cilësia e rezervave është e njëjtë me atë të titullarëve. As Real Madridi…
Është e logjikshme që Frattesi të mos jetë Barella, që Asllani të mos ketë klasin e Calhanoglu apo që Taremi të mos ndikojë si Thuram. Kur luan kaq shumë ndeshje si Interi këtë sezon, duhet të marrësh përsipër edhe rreziqe të tilla”.