Real Madrid - Barcelona, ja pse finalja e mbrëmjes së sotme vlen për ‘dy’ trofe

- Bota Sot

Real Madrid - Barcelona, ja pse finalja e mbrëmjes së sotme vlen për ‘dy’ trofe

Finalja e “La Cartuja” vlen për ‘dy’ trofe: atë të Kupës së Mbretit që është në lojë dhe atë të kampionatit, që mund të ndikohet nga çfarë do të ndodhë këtë të shtunë. Në të dyja kompeticionet janë të përfshira Real Madridi dhe Barcelona, skuadra të cilave mund t’iu ndryshojë krejtësisht situata në një hap e mbyllje sysh. Konkretisht, në kohën sa do të zgjasë përballja e mbrëmjes së sotme.

Finalja e Kupës së Mbretit pritet të shkaktojë një “tërmet” me jehonë edhe në La Liga, për të mirë ose për të keq. Fituesi në Sevilla jo vetëm që do të shtojë një tjetër trofe në “palmaresin” e vet, por do të dalë edhe i forcuar për objektivat e ardhshme.

Përplasja mes Real Madridit dhe Barcelonës krijon një skenar pasigurie për atë që mund të ndodhë me të dyja skuadrat që nga dita pasuese. Ajo që është e zezë mund të bëhet e bardhë për skuadrën e Ancelottit, nëse fiton Kupën e Mbretit, dhe e bardha mund të bëhet e zezë për atë të Flick. Ky është ndikimi që sjell fakti që të dy rivalët historikë përballen për një trofe të tillë.

Në këtë kuadër, finalja e “La Cartuja” paraqitet për Real Madridin si një mundësi për të destabilizuar Barcelonën, e cila aktualisht është në një moment ku gjithçka po shkon perfekt: favorite për Kupën e Mbretit, kryesuese e fortë në La Liga dhe gjysmëfinaliste në Champions League. Megjithatë, triumfi i të bardhëve sonte mund ta përmbysë këtë idil, që po përjeton Barça.

Kjo është pikërisht loja e dyfishtë që duan të bëjnë të besuarit e Ancelottit: nga njëra anë, të vetë-afirmohen, t’i rrëmbejnë një trofe Barcelonës dhe të hakmerren për humbjen në Superkupën e Spanjës; nga ana tjetër, t’i japin një goditje psikologjike kundërshtarit në funksion të përpjekjes për ta rikuperuar kampionatin, me një tjetër “El Clasico” shumë vendimtare më 11 maj, që është fare pranë. Për këtë arsye, fitorja në finalen e Kupës shihet si mënyra e vetme për ta transferuar krizën nga një skuadër te tjetra, sidomos te Real Madridi, dhe shfrytëzuar atë në përpjekjen dëshpëruese për të rifituar kreun e tabelës.

Katër “El Clasico” për tre trofe

Nga ana tjetër, Barcelona ka mundësinë t’i japë goditjen përfundimtare rivalit të madh. Fitorja e Kupës së Mbretit do të ishte një shfaqje thuajse përfundimtare force nga skuadra e Flick, në një sezon ku Barcelona do të rimerrte një pjesë të hegemonisë së humbur dhe do të ishte shumë pranë tripletës, e vështirë për t’u imagjinuar në fillim të sezonit: La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës. “Nuk e prisja që në verë të ishim në këtë situatë”, – pranoi mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo.

Përveç kësaj, një fitore në Kupën e Mbretit do të ishte shtysë e madhe besimi për objektivin kryesor të katalanasve: triumfin në Champions League. Ky është një sezon ku të gjitha “El Clásico”-t kanë rezultuar vendimtare. Janë luajtur ose do të luhen 4 ndeshje mes dy rivalëve, dhe të katërta kanë qenë ose do të jenë kyçe për tre trofetë në lojë: titulli i La Liga-s, Superkupa e Spanjës dhe tani Kupa e Mbretit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot