Derbi midis Dinamos e Tiranës do të luhet për të katërtën herë në një stadium të ndryshëm këtë sezon, këtë të dielë në Arena Egnatia, për javën e 36-të të Abissnet Superiore.
Bardheblutë do të kërkojnë vetëm fitoren për të luajtur në play-out për mbijetesën, çdo rezultat tjetër i çon direkt në Kategorinë e Parë.
Tirana do të ndeshet me Dinamon të dielën në orën 15.00, për javën e 36-të të Abissnet Superiore, me një mision të vetëm, fitoren, për të mos rënë direkt në Kategorinë e Parë.
Nëse arrin të marrë tri pikët, atëherë do të ndeshet në play-out me fituesen e çiftit Besa-Pogradeci për të siguruar qëndrimin në Superiore.
Fati duket se i ka rezervuar një shaka të hidhur skuadrës dominuese në historinë e futbollit shqiptar, që do të përpiqet të sigurojë mbijetesën në shtëpinë e dominueses së dy viteve të fundit, Egnatias, pasi ndeshja do të luhet në Rrogozhinë.
Si për ta shtuar dozën e ironisë, duhet t’i marrë tri pikët Dinamos, rivale tradicionale dhe skuadra që e ndjek për sa i përket titujve të fituar, që tani lufton për dy trofe të tjerë në një kohë që Tirana vuan në fund. Ndaj do të jetë një derbi jo i zakonshëm, në pozita të paprovuara më parë për secilën prej skuadrave, me Tiranën që sheh nga poshtë Dinamon me shpresën që blutë do të mendojnë ndoshta për të ruajtur forcat për në katërshen finale, e me Dinamon që mund të grishet nga ideja për t’i dhënë shqelmin përfundimtar rivalit, qoftë edhe me një barazim.
Do të jetë një derbi i çuditshëm edhe për shkak se për të katërtën herë këtë sezon luhet në një stadium të ndryshëm.
Derbi i parë, i mbyllur pa gola, u luajt në Vlorë, në fazën e dytë Dinamo e mundi Tiranën në Elbasan 2-1, në të tretën sërish blutë fitues 4-1, këtë herë në Arenën Kombëtare dhe të dielën shihen në Rrogozhinë. E pazakontë, aq sa mund të pyesësh: A janë vërtet dy skuadra të një qyteti?