Barcelona ka fituar mbrëmë Kupën e Mbretit duke mundur Real Madridin në një finale spektakolare që u zgjidh në kohët shtesë dhe padyshim për katalanasit kishe urime nga të gjitha anët për këtë sukses,
Por një urim i veçantë, ka bërë që të shpërthejnë shumë polemika, pasi tifozët e klubit spanjoll që e ka bërë atë, i janë kundërvënë drejtuesve të tyre.
Vetëm 26 minuta pas suksesit të Barcelonës, ka ardhur përgëzimi dhe nga klubi tjetër katalanas, Espanjoli, pjesë e të cilit është edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla. Por postimi i thjeshtë “Urime Barcelona për titullin e Kupës së Mbretit”, është përballur me shpejtësi me kundërshtinë e vetë tifozëve të Espanjol.
Të shumtë në numër ata i manë kërkuar klubit që të fshijë këtë postim, duke e vlerësuar si të papërshtatshëm. Shkak është urrejtja që ka tifozeria e kësaj skuadre për Barcelonën, e cila është skuadra më e madhe në Katalonjë dhe ata e akuzojnë shpesh se ka përdorur forcën e saj ekonomike e sportive për të shkatërruar këtë të dytën.
“Hiqeni”, “Mungesë respekti ndaj tifozëve” apo “Drejtues largohuni”. ishin mesazhet më të shumta që shfaqeshin në komente. “Më vjen turp për këtë Espanjol.
Seriozisht kanë uruar një klub të korruptuar dhe hajdut? Një klubi që ka kaluar gjithë jetën duke u munduar që të na e bëjë jetën të vështirë? Është e pabesueshme diferenca e madhe mes atyre që drejtojnë dhe ndjenjave të pjesës më të madhe të tifozëve”, shkruante një tjetër tifoz duke shprehur pakënaqësinë. Ndërsa një tjetër kujtoi se Espanjoli kishte vonuar më shumë për të shkruar mesazhin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të Papës, sesa për të uruar Barçën.