Me formimin e qeverisë së re, Serbia po demonstron gjithnjë e më hapur një kthesë drejt lindjes, përmes intensifikimit të marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën.
Ditët e fundit, një sërë takimesh të zyrtarëve më të lartë serbë me përfaqësues të Moskës dhe Pekinit tregojnë për një largim të mëtejshëm të Serbisë nga integrimet evropiane dhe një afrim me fuqitë autoritare.
Vizita e patriarkut Porfirije në Moskë, në një kohë kur Rusia është e izoluar ndërkombëtarisht për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës, sinjalizon jo vetëm solidaritet fetar, por edhe politik. Kisha Ortodokse Serbe, si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë, përmes kësaj vizite dërgon një mesazh për një orientim afatgjatë të shoqërisë në përputhje me interesat ruse.
Përmes kësaj vizite, Serbia ka dërguar një mesazh të qartë se mbetet një aleate besnike e Kremlinit, pavarësisht pasojave që kjo mund të ketë për të ardhmen e saj evropiane.
Në të njëjtën kohë, ministri i ri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, është takuar me Aleksandar Bocan-Harçenkon, një diplomat të shquar rus dhe lojtar afatgjatë i Kremlinit në Ballkan.
Gjatë takimit, Gjuriq përsëriti “mirënjohjen e Serbisë ndaj Federatës Ruse për qëndrimin parimor lidhur me mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë”, duke theksuar “mbështetjen e fortë” që Serbia ka marrë për vite me radhë për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri i ri i Serbisë, Gjuro Macut, e konfirmoi më tej orientimin lindor përmes një takimi me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming. Sipas mediave serbe, Macut gjatë bisedës theksoi “të ardhmen e përbashkët dhe partneritetin strategjik” me Kinën, duke lavdëruar “miqësinë prej çeliku”, që sipas tij, duhet të sjellë stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Kjo është edhe një dëshmi tjetër që tregon lidhjen gjithnjë më të thellë të Serbisë me Kinën, një shtet që përdor hapur ndikimin ekonomik për të forcuar kontrollin politik.
Takimi i paralajmëruar ndërmjet Aleksandar Vuçiqit dhe Vladimir Putinit më 9 maj në Moskë e forcon edhe më tej përshtypjen për kursin e ri të politikës së jashtme të Serbisë.
Takimi do të zhvillohet në Ditën e Fitores, një ngjarje që Kremlini e përdor për të promovuar fuqinë dhe narrativën e tij historike, shpesh në kundërshtim me vlerat evropiane.
Të gjitha këto aktivitete tregojnë për një ridimensionim të qartë të prioriteteve të politikës së jashtme të Serbisë. Në vend që t’i afrohet Bashkimit Evropian, qeveria e re serbe po tregon gatishmëri për t’u lidhur në mënyrë më të thellë strategjikisht me Rusinë dhe Kinën.
Një politikë e tillë, në planin afatgjatë, e vendos Serbinë në një pozitë të izolimit gjithnjë e më të madh nga Perëndimi dhe proceset e integrimit evropian.
/The Geopost/