Gjërat duket se nuk po shkojnë mirë së fundi në futbollin e Kosovës.
Zërat që qarkullojnë ditëve të fundit, padyshim se mund t’i fusin në siklet klubet e Kosovës.
Edhe Tahir Batatina, kryetrajner i Llapit të Podujevës, finalist i Kupës së Kosovës, ka arsyen e fortë që të jetë në siklet të madh!
Cila është arsyeja?
“Nëse ndalet sponsorizimi për klubet sportive, atëherë të gjithë njëzëri duhet t’i ndalim aktivitetet sportive!
Të gjithë sportdashësit, tifozët, drejtuesit e klubeve dhe shkollat e futbollit duhet të nisim një protestë masive para Ministrisë së Sportit. Të dorëzohen të gjitha kartelat e lojtarëve në ministri dhe ta lëmë që vetë ministria të organizojë garat në të gjitha kategoritë e futbollit në vendin tonë.
Nuk është e pranueshme që për inate personale apo interesa individuale të dëmtohet sporti dhe e ardhmja e futbollit në Kosovë.
Në të gjitha vendet e zhvilluara, sporti ndihmohet dhe mbështetet – te ne po pengohet.
Kjo është edhe arsyeja pse të rinjtë po largohen dhe Kosova po zbrazet dita-ditës.
Nëse kështu vazhdon, atëherë le të luajnë futboll vetë ministrat dhe zyrtarët e Ministrisë, sepse edhe ashtu nuk kemi institucione funksionale – as kuvend, as qeveri”, ka shkruar Batatina.