Në stadiumin “Olimpic Lluís Companys” është gjithçka gati për aktin e parë të gjysmëfinales së Champions League mes Barcelonës dhe Interit. Në lojë, në përballjen me dy ndeshje, është një vend në finale e madhe të Mynihut, ndaj tensioni është maksimal për atë që konsiderohet si sfida e të kundërtave: sulmi më i mirë i turneut (37 gola) përballë mbrojtjes më të mirë (8 gola).
Të eliminuar nga Kupa e Italisë dhe të parakaluar nga Napoli në krye të Serie A, zikaltërit vijnë nga një javë e errët dhe provojnë të kapen pas Champions-it për të reaguar, për të përmbysur momentin e keq dhe vazhduar të synojnë objektivin e madh.
Në anën tjetër, Barcelona vjen në këtë sfidë me besim dhe entuziazëm pas fluturimit në La Liga dhe triumfit në finalen e “Copa del Rey” ndaj Real Madridit, pavarësisht mungesës së Lewandowskit. Një entuziazëm që në Montjuïc premton shkëndija mes dy ekipeve thellësisht të ndryshme.
Të udhëhequr nga De Jong dhe Pedri në mesfushë, të shtyrë nga dinamizmi, shpejtësia dhe teknika e Yamal dhe Raphina në krahë, blaugranat e kanë si filozofi presionin e lartë, ritmin intensiv dhe lojën sulmuese. Qasje që shpesh ka treguar ndonjë dobësi në mbrojtje, por mbetet forca e vërtetë e skuadrës së Flick.
Një fuqi sulmuese të cilës Interi do të mundohet t’i përgjigjet me përqendrim dhe saktësi në markim, duke kontrolluar posedimin dhe dalë pastër nga presioni për të sulmuar më pas hapësirat prapa mbrojtjes katalanase. Një përballje me duele shpejtësie në krahë, lojë në zona të ngushta dhe ende disa dyshime për formacionet startuese.
Pa Lewandowskin, në majën e sulmit, Flick pritet të vendosë Ferran Torres, i mbështetur nga Yamal, Dani Olmo dhe Raphinha, ndërsa De Jong dhe Pedri do të dirigjojnë nga prapavija. Me Baldé të dëmtuar, në mbrojtje përpara Szczesny pritet të jetë Martin në të majtë, me Koundé, Cubarsí dhe Martínez që plotësojnë katërshen e prapavijës.
Simone Inzaghi pritet të përgjigjet me 3-5-2-in e tij klasik, të shkurtër, të ngjeshur dhe të balancuar. Dilema më e madhe për teknikun zikaltër lidhet me gjendjen e Marcus Thuram.
Nëse francezi do të japë garanci, do të luajë nga minuta e parë përkrah Lautaros, me Barella, Çalhanoglu dhe Mkhitaryan që do të menaxhojnë mesfushën, ndërsa Dumfries dhe Dimarco do të jenë në krahë.
Në rast të kundërt, njëri mes Taremit dhe Arnautovic do të plotësojë dyshen e sulmit. Në mbrojtje, krahas Bastonit dhe Acerbit pritet të jetë Bisseck, në vend të Pavardit të dëmtuar, edhe pse mundësitë për Darmianin apo De Vrij mbeten të hapura.