Ndërprerja masive e energjisë elektrike që goditi Spanjën, Portugalinë dhe pjesë të Francës ka nxjerrë në pah nevojën për të mbledhur gjërat thelbësore ne raste emergjencash.
Komisionerja Evropiane Hadja Lahbib tha se pikerisht keto raste kishte parasysh BE kur prezantoi muajin e kaluar “strategjinë e saj të gatishmërisë”, duke përfshirë një rekomandim që qytetarët e BE-së të kenë një çantë mbijetese për 72-orë me furnizimet e nevojshme.
“Ajo që ndodhi në Spanjë dhe Portugali dhe pjesërisht në Francë tregon se duhet të jemi të përgatitur. Nuk ka të bëjë me alarmimin e popullit tonë. Nuk ka të bëjë me luftën.
Ka të bëjë me të gjitha llojet e rreziqeve. Duhet të jemi të përgatitur. Duhet të sigurohemi se do të kemi gjithçka që na nevojitet për 72 orë”, tha Hadja Labib, komisionere e BE-së për Menaxhimin e krizave.
Lahbib tha se një mënyrë për të lehtësuar mungesën e energjisë elektrike është që gjithkush të kenë disa para cash.
“Në të vërtetë kjo çantë e gatishmërisë duhet të përshtatet për secilin prej nesh dhe të përshtatet me situatën e ndryshme ku jetojmë.
Në cilin shtet anëtar – nëse jeni në Francë ose nëse jeni në Finlandë, nuk është e njëjta situatë.
Një nga këshillat e mia është të keni disa para cash sepse në kohë krize, kërcënimesh hibride, apo ndërprerjesh të tilla kartat bankare nuk do të funksionojnë.
Duhet të keni disa para cash, një elektrik dore, pak ujë, disa ushqime e kështu me radhë”, tha Hadja Labib, komisionere e BE-së për Menaxhimin e krizave.
Komisionerja e BE-së u shpreh se përgatitjet kanë një kosto, ka nevojë për pjesëmarrje, ka nevojë për përfshirjen e një qasjeje të tërë shoqërisë, të gjithë qeverive, edhe për buxhete.
Megjithatë, Brukseli është ende në pritje të hetimeve nga Spanja për të kuptuar shkaqet e plota të incidentit.