Si pritet të luajë Ilir Daja në finalen kundër Egnatias?

- Bota Sot

Si pritet të luajë Ilir Daja në finalen kundër Egnatias?

Dinamo do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme pasditen e sotme, duke kërkuar një trofe pas shumë vitesh.

Pas një sezoni të gjatë dhe me kalendar të ngjeshur, blutë do të sfidojnë Egnatian në finalen e Kupës.

Një dilemë më vete është edhe formacioni titullar që Ilir Daja pritet të zgjedhë në këtë ndeshje.

Daja përdor një skemë 4-2-3-1, e cila të jep mundësi për të krijuar shumë raste dhe për të dominuar ndeshjen.

Por, a do të arrijë ta bëjë diçka të tillë kur përballë do të ketë Egnatian, e cila shquhet për lojtarë cilësorë.

Në duelet e këtij sezoni, rrogozhinasit ia kanë dalë të fitojnë dy herë, Dinamo një herë dhe një takim ka përfunduar në barazim.

FORMACIONI I MUNDSHËM Për të kaluar te lojtarët që pritet të zbresin sot në fushë për blutë, porta do t’i besohet Aldo Teqjas, i cili ka luajtur në pjesën e dytë të sezonit, ndërsa mbrojtja do të jetë e plotë. Meksi nga krahu i djathtë, ndërsa në qendër dyshja Hoxha-Aliji.

Në krahun e majtë rikthehet Lorran, i cili ka lënë plotësisht pas dëmtimin dhe pritet të jetë një pikë e fortë për Dajën në linjën e majtë. Sa i përket mesfushës, Gudjabi dhe Karamba janë në balotazh, ndërsa Qefalija me shumë mundësi do të marrë një fanellë titullari.

Përpara tyre nga fillimi pritet ta nisë Zabërgja në krahun e djathtë, Bregu i cili është më i avantazhuar se Jonuzi dhe anësori tjetër do të jetë Nani. Kjo treshe do të mbështesë sulmuesin kryesor të Dinamos, i cili do të jetë Itodo Mandela. Në dispozicion të Dajës janë edhe lojtarët e tjerë me tipare sulmuese si Lorenco Vila dhe Eridon Qardaku.



Lexoni të gjitha në Bota Sot