Takim vendimtar mes Contes dhe De Laurentiis për të ardhmen

- Bota Sot

Takim vendimtar mes Contes dhe De Laurentiis për të ardhmen

Te Napoli nuk kalon ditë pa u ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e Antonio Contes, edhe pse trajneri italian ka ende dy vite kontratë me klubin.

Mes zërave, spekulimeve dhe tensioneve të fshehta, De Laurentiis ka vendosur të organizojë një takim vendimtar me trajnerin, për të kuptuar qartë nëse rrugët e tyre do të vazhdojnë të përputhen edhe sezonin e ardhshëm.

Sipas ‘Corriere dello Sport’, takimi do të zhvillohet pas ndeshjes ndaj Genoas, menjëherë pasi presidenti të kthehet nga pushimet në Maldive.

Në tryezë do të jenë gjithashtu drejtori sportiv Manna dhe administratori i deleguar Chiavelli, në një mbledhje që do të ketë për qëllim shtrimin e strategjisë teknike dhe merkatos për sezonin e ri.

Nga njëra anë qëndron Antonio Conte, një trajner që kërkon gjithmonë të rrisë nivelin dhe të ketë skuadër konkurruese në Itali e në Europë që në fillim të sezonit.

Nga ana tjetër, De Laurentiis dëshiron të ndërtojë një projekt fitues, por pa i dhënë gjithçka në dorë trajnerit, siç ndodhi në raste të mëparshme.

Mes të dyve nevojitet një balancë e re, që të shmangen përplasjet e së kaluarës.

Takimi po paraprihet edhe për të evituar një situatë të ngjashme me atë të pas-titullit të fituar nga Spalletti, kur presidenti mbeti pa trajner dhe u detyrua të zgjedhë në nxitim.

Napoli nuk dëshiron më të përballet me pasiguri të tilla në fund sezoni, veçanërisht tani që lufta për titull është ende e hapur dhe projektet europiane kërkojnë investime dhe qartësi teknike.

A do të jetë Conte pjesë e këtij projekti? Përgjigjja mund të vijë shumë shpejt.



Lexoni të gjitha në Bota Sot