Ferran Torres paralajmëron Interin: Nuk ka rëndësi që luajmë në San Siro

- Bota Sot

Ferran Torres paralajmëron Interin: Nuk ka rëndësi që luajmë në San Siro

Pas barazimit spektakolar 3-3 në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Interit, një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes, Ferran Torres, ka dhënë një mesazh të qartë: Barcelona synon kualifikimin, pa marrë parasysh se ndeshja e kthimit do të luhet në “San Siro”.

Sulmuesi spanjoll, autor i njërit prej tre golave për katalanasit në mbrëmjen e zjarrtë në “Montjuic”, foli pas ndeshjes për kanalet zyrtare të klubit:

“Në fund të fundit, është e rëndësishme që nuk kemi humbur. Ishte një ndeshje e komplikuar, por ne kemi reaguar mirë dhe kjo është një shenjë pozitive.

Gjithsesi, nuk mund të luajmë kështu në një gjysmëfinale Championsi.

Nuk ndërtuam lojën siç duhej, por për fat të mirë arritëm të rikthehemi pas disavantazhit 0-2. E balancuam ndeshjen dhe krijuam më shumë raste se ata.”

Torres nuk i kurseu as lavdërimet për talentin e ri të Barçës, Lamine Yamal: “Ai është i jashtëzakonshëm. Kur është i motivuar si ndaj Interit, mund të bëjë diferencën.”

Ndërsa për golin e tij personal, sulmuesi deklaroi me modestinë që e karakterizon: “Jam i lumtur, por më e rëndësishme është që të fitojë skuadra.

Nuk ka rëndësi kush shënon, duam që tifozët të vazhdojnë të na mbështesin dhe të besojnë tek ne.”

I ndalur më pas nga mediet italiane, Ferran Torres shtoi:

“Nuk ka rëndësi nëse luajmë në San Siro. Ne duam të kalojmë më tej dhe besojmë fort se do ta arrijmë.”

Ndeshja e kthimit pritet të jetë një tjetër spektakël i vërtetë, me Interin që ka avantazhin e fushës, por me një Barcelonë të vendosur për të përmbysur gjithçka dhe për të prerë biletën për finalen.



Lexoni të gjitha në Bota Sot