Pas arritjes së një finaleje të tretë radhazi në Kupën FA, Mançester Siti, i rikthyer në formë, synon të vazhdojë ecurinë pozitive në Premier Ligë kur të presë Uolvesin sonte mbrëma.
Duke kërkuar ende një vend në pesëshen e parë, Siti ka fituar tri ndeshjet e fundit në kampionat; ndërkohë që “Ujqërit”, të etur për fitore, kanë marrë maksimumin e pikëve në gjashtë ndeshjet e fundit, duke vazhduar një mbyllje mbresëlënës të sezonit.
Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, nuk është i sigurt nëse mesfushori Rodri do të kthehet në fushë këtë sezon apo në finalen e Kupës FA, më 17 maj.
Mesfushori është parë duke u stërvitur këtë javë, ndërsa rikuperohet nga një dëmtim në ligamentin e kryqëzuar të përparmë të gjurit. Fituesi i “Topit të Artë” ka qenë jashtë fushe që nga shtatori, kur pësoi dëmtimin e rëndë në ndeshjen ndaj Arsenalit dhe ishte kthyer në stërvitje individuale në shkurt. Edhe Erling Haland është kthyer në stërvitje pas një dëmtimi në kavilje, që e ka mbajtur jashtë fushës që nga fitorja në çerekfinalen e Kupës FA ndaj Bornmëthit në mars. Guardiola konfirmoi gjatë konferencës për shtyp se sulmuesi është “duke u përmirësuar”, por nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Uolvesit, ndërsa po pret miratimin e stafit mjekësor për rikthimin e të dy lojtarëve.
Katalanasi tha: “Jemi shumë të kënaqur që Erling është kthyer dhe që Rodri është kthyer në stërvitje.
Në momentin që doktori bën operacionin dhe fizioterapisti thotë se Rodri mund të nisë të luajë minuta, atëherë do të fillojë të luajë.
Por doktorët duhet të më thonë mua. Ishte një dëmtim i vështirë. Mjekët thanë që mund të zgjaste 7 deri në 11 muaj. Ai ndihet shumë mirë.
Çdo ditë bën seanca stërvitore, por duhet të shmangim një hap prapa dhe një dëmtim të ri, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm.
Me rëndësi është të bëjë një seancë, pastaj një tjetër, dhe çdo herë të ndihet më mirë. Kur doktori të thotë, ‘Rodri, je i qëndrueshëm’, atëherë mund të fillojë të luajë, dhe pas kësaj do të rikthehet”.
I pyetur nëse mesfushori do të luajë përsëri këtë sezon, Guardiola u përgjigj:
“Nuk e di. Doktori do të më thotë”. Kur u pyet për ndjesinë e tij personale, 54- vjeçari u përgjigj shkurt: “Unë nuk jam doktor”.
Kur gazetarët këmbëngulën nëse Rodri do të luajë në Kupën e Botës për Klube këtë verë, Guardiola u përgjigj: “Dëgjoni, gjëja më e rëndësishme është Uolvesi.
Duhet të zgjedh lojtarët më të mirë përballë tyre dhe pas saj kemi një javë të gjatë për t’u përgatitur për Sauthemptonin. Kjo është e vetmja gjë që më shqetëson. Kur doktori apo fizioterapisti të më thotë jo vetëm për Rodrin, por edhe për Erling apo një tjetër që mund të luajë, atëherë do të filloj të mendoj për këtë”.