Barcelona është mësuar të luajë në stadiume të nxehta

- Bota Sot

Barcelona është mësuar të luajë në stadiume të nxehta

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Rafael Benitez ka analizuar sfidën e kthimit mes Interit dhe Barcelonës në gjysmëfinalen e Champions League, që do të luhet të martën në mbrëmje në një “San Siro” thuajse të mbushur plot.

“Si do të jetë ndeshja? E njëjtë, ose shumë e ngjashme me atë të Montjuïc, sepse natyra e këtyre dy skuadrave nuk ndryshon brenda një jave. Çdo skuadër mbart me vete mënyrën se si e ka ndërtuar këtë rrugëtim të ndritur në Champions.

Sigurisht, pa Lautaron, nëse nuk ia del të rikuperohet, Inzaghi humbet shumë. Por, nëse vëreni, edhe javën e kaluar Martinez nuk ishte në fushë në pjesën e dytë dhe rastet nuk munguan. Nëse do të jetë, potenciali ofensiv zikaltër mbetet i frikshëm. Megjithatë, alternativat ekzistojnë dhe filozofia nuk ndryshon”.

Benitez ka vlerësuar mënyrën sesi Interi arriti ta sfidojë Barçën: “Zikaltërit kanë ditur si ta godisnin Barcelonën duke e nxjerrë në fushë të hapur. Kishin soliditet dhe prani në zonën kundërshtare, e ndjenin forcën në muskuj dhe centimetra, si në skemat e topave të ndalur, ashtu edhe në lojë të hapur. Pastaj ishin kundërsulmet, të shumta, që lanë gjurmë dhe ndoshta ndikuan më vonë, me mendje të ftohtë. Tranzicionet ishin një armë tejet efikase, në krahë, por edhe në qendër”.

Sa i përket rolit të “San Siros” si faktor shtesë për zikaltrit, Benitez është i matur: “Faktori fushë mund të ndikojë, por vetëm deri në një pikë. Barcelona është mësuar të luajë në ambiente të nxehta, nuk ndikohet lehtë.

Katalanasit ndjekin logjikën e tyre: zotërim i topit, kërkim i thellësisë, cilësi e lojtarëve të rinj, që nuk kanë vetëm guxim, por këmbë të mira dhe shumë mend. Janë në formë, siç e treguan edhe në Kupën e Mbretit ndaj Realit, edhe pse ndaj Interit, në fund lanë përshtypjen se ndjenë peshën e kohës shtesë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot