“Lulëzuan portokallet” për Rudi Garcia dhe Francesca Brienza.
Të enjten, më 1 maj, çifti që është bashkë prej më shumë se një dekade, kurorëzoi dashurinë e tyre me një ceremoni martesore. Dasma u mbajt në kishën elegante San Luigi dei Francesi, pranë “Piazza Navona” në Romë, ndërsa pritja festive u zhvillua në ambientet luksoze të “Villa Miani”, mes miqsh, familjarësh dhe personazheve nga bota e sportit, artit e biznesit.
Fustani i nuses ishte krijim i stilistit të njohur Antonio Riva, ndërsa mes 250 të ftuarve spikatnin emra të njohur si ish-futbollisti Federico Balzaretti, aktori Max Giusti me bashkëshorten Benedetta, “mbreti i dentistëve” Daniele Puzzilli me partneren Giorgia, sipërmarrësja e turizmit Maria Rosito, dhe përgatitësi atletik Guido Nanni.
Gjatë mbrëmjes, Garcia i emocionoi të pranishmit duke i kënduar gruas së tij këngën “Come nelle favole” të Vasco Rossit, në prani edhe të tri vajzave që ai ka nga martesa e parë. Në një gjest të veçantë simbolik, çdo tavolinë në dasmë kishte emrin e një stadiumi të njohur. Natyrisht nuk mungoi tavolina me emrin “Stadio Olimpico”, një kujtim i qartë nga koha e tij te Roma.
Çifti kishte përgatitur një listë dhuratash me vetëm një objekt: skulpturë në formë qershie, simbol i dashurisë për formën e saj të ngjashme me zemrën, ngjyrën e kuqe dhe lidhjen me perëndeshën Venus.
Skulptura, e realizuar nga artisti Lothar Vigelandzoon, titullohej “Le Couple” – Çifti. “Na jep kënaqësi ta ruajmë një kujtim nga kjo ditë e mrekullueshme e ndarë me ju, që të mbetet në kohë”, – shpjeguan bashkëshortët.
Çifti ishte martuar më parë në mënyrë civile, por kjo ceremoni erdhi si kurorëzim publik i historisë së tyre të gjatë. Rudi Garcia dhe Francesca Brienza janë bashkë që nga viti 2014 dhe kanë një vajzë, Sofia, të lindur në vitin 2023. Ata u njohën në ambientet e “Trigoria”, kur Garcia ishte trajneri i Romës dhe Francesca punonte për “Roma TV”.
“Rudi më afrohej me shumë elegancë, – ka treguar ajo. – Para se të pranoja ftesën për darkë në Paris, njoftova drejtorin tim. Nuk doja të ngatërroja ndjenjat me punën”. Për të mbyllur thashethemet që kishin nisur të qarkullonin, ata e bënë lidhjen publike për herë të parë me një foto në rrjetet sociale, nën hijen e Koloseut.
Martesa ishte planifikuar prej vitesh, por u shty fillimisht për shkak të pandemisë dhe më pas nga ardhja në jetë e Sofia. Tani, më në fund, ka ardhur dita e shumëpritur.