Pep Guardiola është shprehur se dy sezonet e ardhshme mund të jenë të fundit me Manchester Cityn, duke këmbëngulur se ai ka vendosur të “ndalojë” pas kontratës së tij me klubin.
Guardiola nënshkroi një marrëveshje të re me Cityn nëntorin e kaluar që zgjat deri në fund të sezonit 2026/27, për të cilën ai la të kuptohet se do të përkojë me largimin e tij nga stadiumi Etihad pas asaj që do të ketë qenë 11 vjet në krye të një epoke të paprecedentë suksesi.
Guardiola deri atëherë do të jetë 56 vjeç. Kjo nuk do të sinjalizojë domosdoshmërisht fundin e karrierës së tij, por ai planifikon të marrë një pushim nga posti i trajnerit – siç ka bërë Jurgen Klopp që nga largimi nga Liverpooli verën e kaluar, dhe siç bëri vetë Guardiola më parë gjatë sezonit 2012/13.
“Unë dua që ata të më kujtojnë si të duan.
Pas kontratës sime me Cityn, unë do të ndalem. Jam i sigurt.
Nuk e di nëse do të tërhiqem, por do të bëj një pushim. Si dua të më kujtojnë, nuk e di”, tha për ESPN ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munichut.
“Ne të gjithë duam të fitojmë në mënyrë që të kemi një punë të paharrueshme, por mendoj se tifozët e Barcelonës, Bayern Munich dhe City u kënaqën duke parë ekipet e mia duke luajtur. Nuk mendoj se duhet të jetojmë ndonjëherë duke menduar nëse do të mbahemi mend”.