Pas kthimit nga Maldivet, parashikuar mes të shtunës dhe të dielës, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, do të ketë një axhendë të ngjeshur. Të hënën, përveç ndonjë të papriture, ai do të takohet me kryetarin e bashkisë Manfredi për të diskutuar çështjen e stadiumit.
Prioriteti i presidentit “axurr” është që stadiumi “Diego Armando Maradona” të përfshihet ndër arenat që do të presin “Euro 2032”, gjë që do të kërkojë ristrukturimin e “unazës” së tretë dhe rehabilitimin e zonave përreth. Gjatë takimit do të diskutohet mbi një projekt investimi privat mbi tokë publike, në mënyrë që klubi të marrë në menaxhim stadiumin për 99 vite dhe të fitojë të drejta sipërfaqësore.
Takimi i dytë i javës, mes të martës dhe të mërkurës, ka të bëjë me qendrën e re sportive të Napolit. Përtej projektit teknik (fusha, pishinë, ambiente për stërvitje dhe ndeshje të ‘Youth League’), vendndodhja e re duhet të përmbushë dy kushte kryesore:
Qasje të mirë infrastrukturore dhe rrugë të aksesueshme.
Afërsi me tifozët dhe prani e strukturave që e bëjnë të frekuentueshme çdo ditë nga familjet e komuniteti.
Aktualisht, zona “Qualiano” është opsioni më konkret.
Pas përfundimit të këtyre angazhimeve, sipas burimeve, do të zhvillohet një takim vendimtar me trajnerin Antonio Conte, në të cilin do të jetë i pranishëm edhe drejtori sportiv Manna. Takimi është parashikuar të zhvillohet në qytet dhe ka si qëllim:
Të qartësojë të ardhmen e Contes në klub, mbas kritikave të tij të forta pas ndeshjes me Monzën.
Të përcaktojë planet për sezonin e ardhshëm, nëse Conte do të marrë garancitë që kërkon (rreth 6-8 përforcime me nivel të lartë).
Nëse nuk arrihet marrëveshje dhe Conte largohet pas vetëm një sezoni, Massimiliano Allegri është kandidatura kryesore për ta zëvendësuar atë.