Capello: Interi u deh nga Champions-i

- Bota Sot

Capello: Interi u deh nga Champions-i

Në një intervistë për edicionin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”, Fabio Capello është ndalur mbi elementin kyç që i dha sukses Milanit të tij në vitet kur triumfonte në Itali dhe Europë: “Qëndrueshmëria mendore.

Në ato vite nuk ekzistonte koncepti i rotacionit, skuadrat kishin më pak lojtarë në dispozicion dhe nuk mund të bëje 5 zëvendësime gjatë një ndeshjeje si sot. Pushimi nuk ekzistonte. Në fushë zbrisnin gjithmonë më të mirët, përveç rasteve kur kishte ndonjë problem fizik real.

Nuk ishte se Milani im kishte më shumë energji, por kishte kampionë me mentalitetin e duhur. Lojtarë të përulur, pavarësisht shumë fitoreve, që nuk kënaqeshin dhe e trajtonin çdo ndeshje si finale”.

Capello nuk ka lënë pa komentuar as momentin që po kalon Interi, sidomos pas humbjeve ndaj Bologna dhe Romës: “Më shumë sesa çështje lodhjeje, mendoj se ka munguar pak përulësia, ose ndoshta thjesht janë përqendruar tepër në Champions.

Interi është skuadra më e fortë në Itali dhe në një moment kishte tri pikë avantazh ndaj Napolit. Pastaj Inzaghi përdori shumë rotacionin, lojtarët treguan më pak dëshirë për t’u përkushtuar, ndonjë kundërshtar u nënvlerësua…”

Sipas ish-trajnerit legjendar, ndryshimet mes kohës së tij dhe futbollit modern janë edhe në aspektin psikologjik:

“Sot ka më shumë presion se atëherë, veçanërisht për shkak të mbulimit mediatik dhe ndikimit të rrjeteve sociale. Për një futbollist është shumë më e vështirë ta ruajë energjinë mendore”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot