Kush kalon sonte në finale?

- Bota Sot

Kush kalon sonte në finale?

Në ditën e ndeshjes Inter-Barcelona, gjysmëfinalja e kthimit e Champions League, ka folur për “Gazzetta dello Sport” ish-sulmuesi zikaltër, Ivan Zamorano. Ja vlerësimi i tij për sfidën, që do të luhet sonte në “San Siro”:

“E imagjinoj shumë të hapur dhe nuk mund të ndodhë ndryshe.

Mjafton të hedhësh një sy mbi të dyja formacionet, mbi sa lojtarë në fushë janë në gjendje ta vendosin ndeshjen me një veprim të vetëm. Me të vërtetë besoj se kualifikimi do të vendoset nga detajet, por Interi ka një burim më shumë, ‘San Siro’. Unë mund ta them këtë, sepse në atë stadium kam luajtur ndeshje të rëndësishme.

Ai stadium të jep një energji të pabesueshme, që në ndeshje të ekuilibruara mund të bëjë diferencën.

Sigurisht, përballë është Barcelona, që luan një futboll të madh nën drejtimin e Flick. Barcelona është një klub i pjekur, përkundër moshës së re të shumë protagonistëve, një skuadër që di të ndryshojë qëndrim.

Si përballohet Barcelona? Interi dhe Barcelona kanë filozofi të ndryshme, por në një aspekt janë të ngjashme: luajnë më mirë me topin në këmbë sesa pa të. Ja pra: skuadra e Inzaghit duhet të përpiqet të mbajë zotërimin e topit sa më gjatë të jetë e mundur, duke u përpjekur t’ua heqë sigurinë kundërshtarëve në këtë mënyrë. Nuk është e thjeshtë, sigurisht, por ky mund të jetë çelësi.

Në finale shkon, sipas mendimit tim, ai që ka më shumë kontroll mbi lojën dhe topin. Në çdo rast, nuk e di nëse duhet të presim një ndeshje me shumë gola. Yamal? Lojtar i shkëlqyer. Nëse është në ditën e tij, nuk e ndalon dot. Sidoqoftë, mund të përpiqesh ta kufizosh, besoj se Inzaghi do të dijë ta japë përgjigjen e duhur në këtë drejtim.

Më vijnë ndër mend dy aspekte: ndërhyrjet paraprake, pra të mos presësh derisa ai ta marrë topin për t’i ndërhyrë, sepse pastaj është sikur t’i japësh atij mundësinë për të bërë lëvizjen e parë. Po kështu, do të ishte e rëndësishme të punohej edhe më herët në këtë drejtim, pra të kufizohen ata që zakonisht i japin topin.

Kur flitet për Lamine Yamal bëhet gjithmonë gabimi që shikohet karta e identitetit. Nuk ka rëndësi, ai është një lojtar i pjekur. Do të fitojë shumë gjatë karrierës së tij, nuk ka dyshim, por me kushtin që të jetë i zoti ta mbajë këtë nivel paraqitjesh, pa marrë asgjë si të mirëqenë… A ju kujtohet Ansu Fati?”

A do ta vendosin Lautaro dhe Thuram kualifikimin? Ja is mendon ish-sulmuesi zikaltër: “Unë besoj se Interi duhet ta bëjë diferencën në mesfushë, Inzaghi i ka njerëzit e duhur për ta arritur këtë. Mendoj për personalitetin e Barella, për cilësinë e Calhanoglu, por i referohem edhe substancës që di të japë Mkhitaryan. Iu takon atyre ta shmangin presionin e Barcelonës dhe ta menaxhojnë topin me cilësi”.

Kush shkon në finale?

Ja përgjigja e Ivan Zamorano: “Është e vështirë të bësh një parashikim, por jam i sigurt se kush kalon sonte do ta fitojë Champions-in”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot