Portugalia ka një tjetër Cristiano Ronaldo në ekipin e saj kombëtar. Cristiano Ronaldo Junior është thirrur për herë të parë në kombëtaren portugeze U-15, duke ndjekur kështu hapat e të atit. Ky moment historik është festuar me krenari nga vetë CR7, i cili e ka ndarë lajmin në rrjetet e tij sociale.
Cristiano Junior është në listën e të grumbulluarve për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Vlatko Markovic”, i cili do të zhvillohet në Kroaci, nga 13 deri më 18 maj. Portugalia do të përballet fillimisht me Japoninë, më pas me Greqinë dhe Anglinë.
Aktualisht, djali i Ronaldos luan në ekipet e moshave të Al Nassr, klub ku luan edhe i ati. Më parë ka qenë pjesë e akademive të Juventusit dhe Manchester United, duke ndjekur gjithmonë hapat e superyllit portugez.
Në një rast të rrallë në historinë e futbollit, babë e bir do të jenë ndërkombëtarë njëkohësisht: Ronaldo Senior me kombëtaren A, duke synuar pjesëmarrjen në Botërorin 2026, ndërsa Ronaldo Junior me Portugalia U-15.
Edhe gjyshja e tij, Dolores Aveiro, ka shprehur publikisht gëzimin dhe krenarinë: “Jam shumë krenare për nipin tim që po ndjek hapat e babait të tij duke përfaqësuar kombëtaren tonë. Gjyshja do të jetë aty për të të mbështetur. KRENARI”.