Rusia ka konfirmuar zyrtarisht se do të respektojë një armëpushim tre-ditor në Ukrainë, nga data 8 deri më 10 maj, në kuadër të përkujtimit të 80-vjetorit të fitores mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore, pavarësisht refuzimit publik të propozimit nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se urdhrat për ndalimin e përkohshëm të luftimeve janë dhënë tashmë nga Presidenti Vladimir Putin.
“Iniciativa e Presidentit Putin për një armëpushim të përkohshëm gjatë festave mbetet e rëndësishme dhe urdhrat përkatës janë lëshuar tashmë,” tha Peskov para gazetarëve në Moskë.
Megjithatë, ai paralajmëroi se armëpushimi është i njëanshëm dhe i kushtëzuar. Nëse Ukraina nuk e respekton ndalimin e përkohshëm të zjarrit, Rusia rezervon të drejtën për të reaguar:
“Pala ruse do të pushojë zjarrin, por nëse regjimi i Kievit nuk përgjigjet dhe vazhdon të godasë pozicionet dhe infrastrukturën tonë, atëherë do të ketë një përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër,” shtoi Peskov.
Nga ana tjetër, Presidenti Zelensky e ka përshkruar ofertën e Kremlinit si një “shfaqje teatrale” propagandistike, duke theksuar se nuk ka gatishmëri për marrëveshje të përkohshme pa garanci të qarta ndërkombëtare.
Perëndimi, përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, nuk ka komentuar ende në mënyrë zyrtare mbi këtë armëpushim të shpallur nga Moska.