Shifrat zyrtare të tifozëve në dy ndeshjet që përcaktuan duelin për titullin janë dëshpëruese

- Bota Sot

Shifrat zyrtare të tifozëve në dy ndeshjet që përcaktuan duelin për titullin janë dëshpëruese

Formula e kampionatit me përfundimin me një miniturne “Final Four”, u zgjodh dy vite më parë nga FSHF me objektivin që të kishte sa më shumë shikueshmëri të kampionatit, duke argumentuar se do të rritej numri i tifozëve që e ndiqnin në tribuna.

Gjithashtu, u insistua që të luhej në “Arena Kombëtare”, pasi kështu do të kishte një fluks më të madh tifozësh për ndeshjet. Por shifrat thonë të kundërtën. Jo vetëm gjatë sezonit të rregullt, por edhe gjatë “Final Four”, tifozët kanë braktisur gjithnjë e më shumë kampionatin shqiptar.

Sipas të dhënave zyrtare të FSHF-së, në ndeshjen e parë gjysmëfinale mes Vllaznisë dhe Dinamos kishte të pranishëm 3000 tifozë në stadium. Ndërkohë, shifra për ndeshjen Egnatia-Partizani ishte 4200 tifozë të pranishëm. Padyshim shifra jashtëzakonisht të ulëta për ndeshje që duhej të ishin kulmi i sezonit futbollistik në vend.

Aq më tepër po të krahasosh me të dhënat zyrtare të FSHF për ndeshjet e edicionit të kaluar. Sipas saj, kanë qenë 7 mijë tifozë të pranishëm në duelin gjysmëfinal Partizani-Skënderbeu, si dhe 5 mijë tifozë të pranishëm në ndeshjen Egnatia-Vllaznia. Me pak fjalë, numri i tifozëve nga një vit më parë thuajse është përgjysmuar. Një e dhënë alarmante që tregon se si formula nuk ka ndihmuar rritjen e interesit të tifozëve për këto ndeshje, por thjesht e ka ulur atë.

Tani mbetet të shihet vetëm se si do të jetë prania e tifozëve në ndeshjen finale, duke kujtuar se sipas FSHF, në atë të edicionit të kaluar mes Egnatias dhe Partizanit, ishin të pranishëm 10500 tifozë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot