Shmanget tragjedia! Përplasen në ajër tre avionë ushtarakë gjatë shfaqjes në Itali, plagoset një pilot

- Bota Sot

Shmanget tragjedia! Përplasen në ajër tre avionë ushtarakë gjatë shfaqjes në Itali, plagoset një pilot

Një incident ndodhi gjatë një shfaqjeje ajrore të skuadriljes akrobatike italiane Frecce Tricolori në ishullin Pantelleria.

Gjatë një prej manovrave të para, dy prej avionëve u përplasën në ajër. Një avion tjetër preku gjithashtu njërin prej tyre.

Një nga avionët, i cili kishte pësuar dëmtime të konsiderueshme, përfundoi jashtë pistës pas një uljeje emergjente. Piloti i tij, Luca Battistoni, 32 vjeç, u plagos lehtë dhe u shtrua në spital pasi pësoi një dëmtim në gju, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy avionët e tjerë arritën të uleshin pa probleme dhe pa dëmtime për ekuipazhin.

Forcat Ajrore Italiane raportuan për një “ndarje anomale të formacionit gjatë manovrës kardioidale”, ndërsa përjashtuan mundësinë e goditjes nga zogjtë, një shkak i zakonshëm në incidente të ngjashme. Kutitë e zeza do të ndihmojnë në përcaktimin e shkaqeve të sakta të përplasjes.

Kryetari i bashkisë së Pantellerias, Fabrizio D’Ancona, tha se “një tragjedi u shmang për pak” dhe se nuk pati asnjë rrezik për publikun, i cili ndodhej në një distancë të sigurt.

Incidenti ndodhi gjatë një dite festive për hapjen e një baze ajrore në ishull dhe rikujton aksidentin fatal të vitit 2023 në Torino, ku një vajzë 5-vjeçare humbi jetën pas përplasjes së një avioni të Frecce Tricolori me një makinë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot