Një incident ndodhi gjatë një shfaqjeje ajrore të skuadriljes akrobatike italiane Frecce Tricolori në ishullin Pantelleria.
Gjatë një prej manovrave të para, dy prej avionëve u përplasën në ajër. Një avion tjetër preku gjithashtu njërin prej tyre.
Një nga avionët, i cili kishte pësuar dëmtime të konsiderueshme, përfundoi jashtë pistës pas një uljeje emergjente. Piloti i tij, Luca Battistoni, 32 vjeç, u plagos lehtë dhe u shtrua në spital pasi pësoi një dëmtim në gju, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy avionët e tjerë arritën të uleshin pa probleme dhe pa dëmtime për ekuipazhin.
Forcat Ajrore Italiane raportuan për një “ndarje anomale të formacionit gjatë manovrës kardioidale”, ndërsa përjashtuan mundësinë e goditjes nga zogjtë, një shkak i zakonshëm në incidente të ngjashme. Kutitë e zeza do të ndihmojnë në përcaktimin e shkaqeve të sakta të përplasjes.
Kryetari i bashkisë së Pantellerias, Fabrizio D’Ancona, tha se “një tragjedi u shmang për pak” dhe se nuk pati asnjë rrezik për publikun, i cili ndodhej në një distancë të sigurt.
Incidenti ndodhi gjatë një dite festive për hapjen e një baze ajrore në ishull dhe rikujton aksidentin fatal të vitit 2023 në Torino, ku një vajzë 5-vjeçare humbi jetën pas përplasjes së një avioni të Frecce Tricolori me një makinë.