Spalletti tregon thyerjen totale me Icardin

- Bota Sot

Spalletti tregon thyerjen totale me Icardin

Luciano Spalletti, trajneri i kombëtares italiane, zbulon shumë sekrete në një autobiografi të titulluar “Parajsa ekziston… Por sa mundim”. Një nga konfliktet më të rëndësishme të karrierës i ka ndodhur gjatë aventurës së tij tek Interi, me Mauro Icardin:

“Momenti kritik i vërtetë tek Interi ishte kur Wanda Nara, gruaja e kapitenit, doli në televizion dhe tha gjëra që nuk duhej t’i thoshte kundër bashkëlojtarëve të Mauros

. Është e vërtetë që ajo ishte agjentja e tij, por ishte edhe gruaja e tij. Ishim në shkurt të vitit 2019, në mes të kampionatit. Ishte diçka shkatërruese.

Nuk kisha zgjedhje, duhej të bëja diçka për skuadrën, duhej ta mbroja atë. Dhoma e zhveshjes ishte e përçarë, nuk mund të bëja si Ponc Pilati, ndaj duhej të pozicionohesha. Unë jam një trajner besnik, gjithmonë dua t’i mbroj lojtarët e mi. Ndodh që bëhem edhe ‘tigër’ për një moment. Mëngjesin tjetër, disa lojtarë erdhën në zyrën time për të biseduar për këtë çështje.

Ishte edhe Handanovic, një njeri i drejtë, me personalitet të hekurt. Pra, nuk mund të bënim sikur nuk ndodhte asgjë, as të qëndronim aty dhe të ngjisnim copat e thyera. Epo, shumica e tifozëve e kuptuan dhe më mbështetën. Kritika që nuk dija ta mbaja të bashkuar dhomën e zhveshjes, as t’i menaxhoja kampionët, ishte më shumë se e padrejtë dhe e panevojshme.

Situata u përkeqësua kur kuptova që dobësia e kapitenit tonë quhej Wanda dhe rrezikonte ta çonte grupin në humbje. Këtë gjë nuk mund ta toleroja. Mauro në atë moment po kalonte një periudhë të vështirë në fushë, gjërat nuk po shkonin siç do të donte. Nuk po shënonte siç bënte zakonisht.

Ajo tha se, nëse duhej që Icardi të shënonte më shumë gola, duhej të blinin lojtarë që ta ndihmonin atë të shënonte. Duheshin lojtarë më të mirë, ky ishte koncepti. Diçka e padurueshme, një ‘bombë’ e vërtetë. Ishte një nga ato deklarata që nuk mund t’i hidhje poshtë me një postim në WhatsApp, një histori në Instagram.

Për ta rregulluar situatën duhej të flisnim sy më sy, si në kohët e vjetra. Kishte vetëm një mënyrë për të shmangur një luftë në dhomën e zhveshjes: kërkim falje nga Mauro Icardi. Diçka që nuk erdhi kurrë. Të nesërmen i kërkova kapitenit, përpara të gjithë bashkëlojtarëve, të shpjegonte fjalët e Wanda Nara.

T’i justifikonte ato në një farë mënyre. Më dukej minimalja, si shenjë respekti për të tjerët. Mauro u përgjigj se nuk kishte folur gruaja e tij Wanda, por agjentja e tij Nara, dhe se e kishte bërë vetëm në këtë cilësi. Ishte e pamundur të menaxhohej situata. Nuk kishte mundësi.

Duhej ta njoftoja me dy fjalë, t’ia hiqja shiritin e kapitenit dhe t’ia jepja Handanovic. Kishte mbështetje të heshtur nga klubi për këtë veprim timin. Ai e mori shumë keq, shumë keq. Në fakt, për të mos humbur skuadrën, humba Icardin, njeriun dhe futbollistin”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot