Fundjava rezervon një tjetër ndeshje të vështirë për Barcelonën, që pasi u eliminua nga Liga e Kampionëve do të përballet me Real Madrid në “El Clasico”.
Kjo ndeshje është vendimtare për madrilenët, që janë 4 pikë pas katalanasve në renditjen e La Liga.
Ai që foli për këtë sfidë sot është mesfushori i Real Madrid, Federiko Valverde.
Ai pranon se kjo sfidë do të jetë shumë e rëndësishme për të dhe skuadrën e trajnerit Ançelotit, për të mbajtur gjallë shpresat për titull deri në momentin e fundit.
“Mendoj se është ndeshja e vitit për ne. Është shansi i fundit për të fituar La Liga dhe për të luftuar për titullin.
Do të përpiqemi të japim gjithçka për të marrë në shtëpi tri pikët”, tha Valverde për ndeshjen që luhet në Barcelonë.
“Duhet të luajmë mirë me topin dhe të tregohemi kompakt në mbrojtje.
Kemi bërë paraqitje të mira së fundi dhe shpresojmë shumë te fitorja. Nuk duhet t’u lëmë hapësira, pasi kanë lojtarë të mirë, por për ne është shansi i fundit, ndaj e dimë se ç’duhet të bëjmë”, tha Valverde.