Klubi i vendos ultimatum

- Bota Sot

Klubi i vendos ultimatum

Leroi Sane përballet me ultimatum 10-di tor nga Bajerni i Mynihut për të vendosur të ardhmen e tij, ndërsa Arsenali dhe Çelsi janë në gatishmëri për të përfituar nga çdo situatë që mund të sjellë largimin e sulmuesit nga “Allianz Arena”.

Kampionët e sapokurorëzuar të Gjermanisë, i kanë dhënë sulmuesit gjerman një ultimatum 10-ditor për të vendosur nëse do të pranojë kontratën e re që i është ofruar apo do të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit, raportoi “Bild”.

Kontrata aktuale e anësorit 29-vjeçar përfundon në verë dhe, megjithëse Bajerni i shtoi një tjetër titull Bundeslige historisë së klubit (34 në total), Sane i ka pezulluar bisedimet për rinovimin e kontratës, duke tërhequr vëmendjen dhe interesin e klubeve të Premier Ligës, veçanërisht Arsenalit dhe Çelsit, të cilët kërkojnë përforcime në krahët e sulmit sezonin e ardhshëm.

Burimet e gazetës gjermane theksojnë se Bajerni nuk do të ndryshojë kushtet e ofruara, duke e vendosur Sanenë përpara një vendimi që duhet ta marrë menjëherë. Futbollisti ka ndërruar së fundmi menaxher, një tjetër tregues se po vlerëson me kujdes hapat e tij të ardhshëm. Trajneri Vinsent Kompani, i cili dikur ishte bashkëlojtar me Sanenë te Mançester Siti, deklaroi në prill: “Leroi dhe përfaqësuesit e tij duhet të ulen me klubin dhe të marrin një vendim të përbashkët”.

Kjo marrëveshje e përbashkët ende nuk është arritur, ndërkohë që Sane ka bërë një sezon solid me 11 gola në 28 paraqitje në Bundesligë dhe është një figurë kyçe për përfaqësuesen gjermane me 69 ndeshje ndërkombëtare. Bajerni mendonte se një akord 3-vjeçar do të mbyllej shumë shpejt. Por Sane ndryshoi menaxher.

Çuditërisht, agjenti i ri i Sanesë nuk është askush tjetër përveç Pini Zahavi, negociatori i profilit të lartë, i cili u etiketua si një “piranja e etur për para” nga ish-presidenti i Bajernit, Uli Hënes, në kohën kur negocionte të ardhmen e David Alabës. Bajerni i ka ofruar lojtarit një kontratë të re, 10 milionë euro në vit, rreth 5 milionë euro më pak se paga e tij aktuale. Por bashkë me bonuset, ajo mund të arrijë atë shifër, por sigurisht që Zahavi nuk është dakord me këtë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot