Të parën e fituan francezët.
Një gol i shënuar nga Usman Dembele ishte e vetmja gjë që bëri diferencën në duelin e parë gjysmëfinal në “Emirejts” të Londrës mes Arsenalit vendas dhe Paris SG.
Këtë mbrëmje, në “Parkun e Princave” në Paris, do të luhet akti I dytë dhe përcaktues.
Pra cila skuadër do të jetë në finalen e Championsit?
Padyshim që PSG mund të cilësohet favorit me fitoren jashtë fushe dhe ndeshjen në shtëpi, ndonëse gjithçka mbetet e hapur. Problemi kryesor për trajnerin Luis Enrike ishte dëmtimi I sulmuesit numër 1, pikërisht i Dembelesë, por duket se ai do të jetë në ekip.
A e cilëson të veçantë këtë duel tekniku asturian?
“Jo! Nuk ka asgjë të veçantë në krahasim me ndeshjet e tjera. Duhet ta përjetojmë këtë sfidë në mënyrë po aq speciale sa atë të parën në Londër. Ky duhet të jetë mentaliteti ynë.
Ne jemi këtu për meritën tonë, për atë që kemi bërë gjatë gjithë sezonit. E kemi merituar. Na mbetet edhe gjysmëfinalja e dytë. Fituam të parën dhe objektivi ynë tani është të provojmë që të fitojmë edhe të dytën!”
Ndërkaq, Arsenali është papritur një ekip në krizë.
Tashmë është harruar heroizmi i madh i “topçinjve” që eliminuan Realin, kampion të Europës.
Disfata në “Emirejts” I vendos në pozitë të vështirë, ndërsa humbja në kampionat bën që të rrezikohet kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm.
Për më tepër, trajneri Arteta ka probleme të mëdha me dëmtimet, si Haverc, Gabriel Zhezus, Gabriel dhe Tomijasu, ndërsa Zhorginjo është në dyshim. Për fat, Partei kthehet nga pezullimi dhe kapiteni Odegard, Timber e Kalafiori janë kthyer në stërvitje me ekipin.
“Ne duhet të fitojmë. Ne jemi 90 minuta larg një finaleje të Championsit, trofeut më të madh në botë, dhe jemi përballë një rivali të nivelit tepër të lartë. Ne do të japim më të mirën. Ne jemi këtu që të shkruajmë historinë.
Përpara nesh është një mundësi e madhe. E kemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë, dhe kemi mësuar shumë nga ndeshja e parë. Diferencat mes ekipeve janë shumë të vogla. Shpresojmë të jemi në finale”
PSG cilësohet favorit sonte në orën 21:00, ndonëse është e sigurt se nuk do të luajë për barazimin..