Jeton Beqiri, kampion me Shkëndijën – Një titull që lindi nga vuajtja dhe përkushtimi

- Bota Sot

Jeton Beqiri, kampion me Shkëndijën – Një titull që lindi nga vuajtja dhe përkushtimi

Trajneri 44-vjeçar, Jeton Beqiri, feston titullin e parë në elitën e Maqedonisë së Veriut me Shkëndijën, duke kurorëzuar një sezon të mbushur me sfida, tensione dhe punë të palodhur.

Pas shumë vitesh pranë klubit, Jeton Beqiri më në fund shijon shpërblimin më të madh – titullin kampion me KF Shkëndijën. Edhe pse shpesh ka qenë në rolin e ndihmësit apo ushtruesit të detyrës si trajner i parë, ky sezon ishte ndryshe. Ishte sezoni ku ai mori timonin dhe nuk e lëshoi më, duke udhëhequr kuqezinjtë drejt majës së kampionatit – madje dy javë para përfundimit të sezonit.

“Jam shumë i gëzuar, pasi që Shkëndija është diçka speciale për të gjithë ne, jo vetëm për mua. Është një kënaqësi e veçantë dhe një çlirim i madh për mua, pasi kam jetuar vitin më të vështirë të jetës sime,” deklaroi i emocionuar Beqiri, duke përmendur periudhën nga 11 maji i vitit të kaluar deri më 7 maj të këtij viti si më të vështirën në karrierën dhe jetën e tij personale e profesionale.

Kjo fitore nuk është vetëm një trofe në sirtarin e klubit, por edhe një rikthim i shpirtit luftarak të Shkëndijës dhe një rikthim i besimit te një trajner që ka jetuar me këtë klub. Ai shpreson që ky sukses të mos mbetet i izoluar, por të shërbejë si pikënisje për një epokë të re fitimtarësh.

“Shpresoj që Shkëndija të vazhdojë me rezultate pozitive dhe kjo tifozeri, ky organizim, pronarët, të mos presin më katër vite për një titull. Le të ndajmë nga një për çdo pesë vjet – katër për Shkëndijën e një për ndonjë ekip tjetër!” – tha me një buzëqeshje ironike por plot shpresë trajneri tetovar.

Beqiri nuk është i panjohur me sukseset: në sezonin 2021/22 ai kishte triumfuar në Kategorinë e Dytë shqiptare me skuadrën e Bylisit, por titulli i këtij viti me Shkëndijën mbetet padyshim më i veçanti, më emocionali dhe më domethënësi në karrierën e tij. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot