Cristiano Ronaldo dhe Sporting Lisbona mund të ribashkohen më shumë se dy dekada pas debutimit që shënoi fillimin e një karriere legjendare.
Golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit europian po e konsideron seriozisht mundësinë e rikthimit te klubi i fëmijërisë, një vendim me rëndësi sentimentale, por edhe strategjike.
Synimi i yllit portugez është të mbetet në nivelin më të lartë të konkurrencës, me synimin që të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, që me shumë gjasë do të jetë turneu i tij i fundit madhor me kombëtaren.
Aktualisht te Al Nassr në Arabinë Saudite, ku vazhdon të shënojë gola si të mos kalonte koha mbi të, Cristiano e ruan ambicien e tij të pandalshme.
Mundësia për t’u rikthyer në futbollin europian e tërheq dhe Sporting-u shfaqet si destinacioni ideal. Përveç lidhjes emocionale, skuadra e Lisbonës i ofron atij mundësinë për të konkurruar në garat kontinentale dhe për të përmbyllur karrierën pikërisht aty ku gjithçka nisi.
Konteksti aktual te Sporting mund të lehtësojë gjithashtu kthimin e tij.
Viktor Gyökeres, sulmuesi kryesor këtë sezon, është në radarët e shumë gjigantëve europianë, dhe largimi i tij gjatë verës duket shumë i mundshëm.
Nëse suedezi largohet, Sporting do të ketë nevojë për një figurë të spikatur për të udhëhequr sulmin dhe për të ruajtur ambiciet e larta. Në këtë skenar, emri i Ronaldos fiton gjithnjë e më shumë peshë si zëvendësimi natyral.
Në moshën 40-vjeçare, ylli nga Madeira vazhdon të tregojë se fiziku dhe instinkti i tij për golin mbeten mbi mesataren.
Në Lisbonë do ta prisnin me krahë hapur një operacion që jo vetëm do të forconte skuadrën, por edhe do të rriste ndikimin mediatik të klubit. Kthimi i djalit të humbur nuk është thjesht një ëndërr e tifozëve, por po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një mundësi reale edhe në zyrat e klubit.