I mituri thotë se shoqëria ndikoi të kryejë një vrasje, askush tjetër nuk i shkon te burgu përveç familjarëve

- Bota Sot

I mituri thotë se shoqëria ndikoi të kryejë një vrasje, askush tjetër nuk i shkon te burgu përveç familjarëve

Pasojat e qasjes se lehtë në armë, i tregon më se miri, i mituri A.K, i cili ka kryer vrasje të rëndë dhe dënimin po e vuante në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

“Vepra jeme u kanë si një lloj vetëmbrojte, edhe jam kanë pak i ri në moshë si këna mëndu senet as unë as pala e dëmtuar edhe kemi ardhë deri në një moment që më ardhë qajo. Nuk ka ndodhë kurgjo më qëllim”, ka thënë ai.

Si fëmijë, vrasjen thotë ta ketë kryer i shtyrë nga shoqëria.

“Po pak edhe mosha e re, edhe senet që jam kanë i rrethume prej tyre, vendi që u kanë aty, kanë dal krejt me armë aty, as unë s’kam mujt me dal pa to a po me kupton. I ndikum pak prej shoqnisë jom kanë…”, ka shtuar ai.

Atë e mundonte fakti i qasjes se lehtë në armë nga të rinjtë çka ai si fëmijë e kishte.

“Po shumë keq për këta të ritë se tash krejt po mbajnë armë a po din me veti, veç me mujt qeto armë me i ndal pak ish kanë super.Po dikur kanë me i ra pishman, qysh i kam ra unë pishman po qatë herë bohet pak vonë”, ka thënë tutje A.K

Pendimin për të bëmat si adoleshentë i ka edhe G.H i cili po ashtu ka kryer vrasje të rëndë e që në burg ka hyrë si mitur dhe do dal si i rritur.

“Ma shumë mosha ka ndiku.

Gazetarja; A i ke ra pishman?

G.H- Po”

Në fillim e kam pas shumë problem me u ambientu. Unë edhe kam ardhë këtu si i mitur edhe me kohë tu u pjekë kam ndryshu edhe kështu d.m.th si person”, ka thënë tutje G.H.

“Kur erdha këtu i mësova shumë sene, po ja di tash vlerën familjes.

Gazetarja: Çka ke mësu këtu?

A.K: Po qysh mu sille p.sh. me njerëz, qysh mu sillë me familje, shumë sene, shoqërinë e keqe me largu.”, ka thënë në anën tjetër A.K.

Ajo çfarë iu mungon thonë se është liria dhe ngrohtësia që dikur shtëpia ua ofronte.

“Mas shumti malli me ka marrë veç për familje, për kurgjo tjetër veç me kanë në shpi edhe njëherë me familje. Si nata me ditë është shumë ka dallim, se këtu nuk e ki familjen, këtu p.sh nuk vjen nana me të lut 2-3 herë për bukë, këtu veç njëherë të lut a po don a s’po don”, ka thënë A.K

“ Për jashtë me merr malli ma shumë për lirinë, me kanë i lirë , çka kam me bo kur të dal prej ketuhit njëherë e kisha bo një pushim të vogël edhe direkt në punë”, ka thënë në anën tjetër G.H.

Të penduar për veprimet e tyre, dy të burgosurit kanë një mesazh.

“Për të ritë, mesazhi është me mëndu pak ma shumë, para se me bo diçka, me i mëndu pasojat d.m.th”, ka thënë G.H

“Veç iu kisha lutë që të rinjtë  mos me mbajte armë me u kujdes për familjen e tyne, në fund të fundit veç ata kanë me u kujdes për ty kur vjen puna me hi në burg, s’ke me pas as shoqni as kurgjo, përveç familjes kërkush nuk te del krahë”, ka shtuar A.H

Mentor Vrajolli, drejtor Ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë se armët ilegale nuk i shërbejnë sigurisë publike.

“Ato janë kryesisht për të bërë gjera jo të mira edhe vënia në pah, në publik e këtyre armëve nuk të bënë me vizibil për të mirë, kështu që mesazhi im është që të kenë kujdes, të tregojnë gjera sociale në rrjete sociale po asesi të mos e shprehin dhunën përmes rrjeteve sociale”, ka thënë ia.

“Ka raste edhe kur fëmijët janë lendu, kanë qenë edhe viktima ndoshta edhe pa dashje të armëve qoftë me njëri-tjetrin, qoftë në ambiente familjare-ndoshta edhe në raste kur prindërit kanë mundur me qenë bartës të përgjegjësive institucionale”, ka thënë Orhidea Himaduna, sociologe.

Sa i përket hapësirës online, Policia e Kosovës, ka një mesazh.

“Mesazhi jonë si Polici e Kosovës kish me qenë si për prindërit ashtu edhe për gjithë qytetarët tjerë qoftë të rritur ose fëmijë te kenë shumë kujdes në përdorimin e rrjeteve sociale, ato munden me u keqpërdore, asnjëherë nuk e dimë më kë po bisedojmë në rrjete sociale, fëmijët asnjëherë mos të bisedojnë me persona që nuk i njohin përmes rrjeteve sociale, mos të shkëmbejnë fotografi me persona të panjohur, mos ta shfaqin vetën me përmbajtje të ndryshme në rrjete sociale ato munden me u keqpërdorë nga shumë persona tjerë”, ka thënë Visar Pacolli nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.

Kur dhuna bëhet “trend” dhe arma bëhet “like”,  fëmijët nuk kërkojnë më vëmendje për atë që janë, por për sa rrezikshëm duken. Kur familja, shkollat dhe institucionet dhe as askush nuk kujdeset, atëherë rrjetet sociale “edukojnë” dhe atë shpesh herë për gjera negative. Andaj, ky fenomen duhet të trajtohet me seriozitet nga ana e institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi, para se të bëhet vonë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot