Mitrovica shpallet kampione e Superligës së femrave

- Bota Sot

Mitrovica shpallet kampione e Superligës së femrave

KFF Mitrovica ka fituar titullin e kampionit në Superligën e femrave për edicionin 2024/25.

Kjo pasi vajzat mitrovicase kanë fituar të hënën në ndeshjen vendimtare kundër rivalit direkt për titull, KFF Dukagjini.

Vajzave nga qyteti i "Trepçës" u ka mjaftuar një gol për ta siguruar triumfin. Ka qenë Aurora Mulliqi ajo e cila e ka realizuar golin e vetëm në minutën e 28-të, i cili ka rezultuar vendimtar për fitoren 1:0 dhe përfundimin e sezonit me 53 pikë, një më shumë se Dukagjini që e udhëhiqte renditjen deri në këtë ndeshje.

Ky është titulli i gjashtë në historinë e klubit nga Mitrovica.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përgëzuar KFF Mitrovicën për këtë arritje. 
“Urime KFF Mitrovica për fitimin e titullit të kampionit në Superligën e femrave dhe për arritjen e titullit të gjashtë në historinë e klubit. Ky sukses i madh është dëshmi e karakterit, përkushtimit të jashtëzakonshëm të futbollisteve, stafit teknik dhe gjithë klubit”
, ka shkruar ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot