Ylli brazilian shpërthen ndaj klubit, ka vendosur që të mos luajë më për Realin

- Bota Sot

Ylli brazilian shpërthen ndaj klubit, ka vendosur që të mos luajë më për Realin

Kriza në Real Madrid nuk është më vetëm çështje rezultatesh, por ka kapur edhe ambientin e brendshëm të klubit.

Pas humbjes në El Clasico që praktikisht i dorëzoi titullin Barcelonës dhe shpalli dështimin e sezonit për “Los Blancos”, situata është tensionuar më tej nga largimi i Carlo Ancelottit, tashmë trajner i kombëtares së Brazilit, si dhe nga shpërthimi i çështjes Rodrygo.

Sipas Marca, Rodrygo ka vendosur të ndërpresë marrëdhënien me klubin dhe do të kërkojë largimin në fund të sezonit.

Nuk është vetëm mosaktivizimi në ndeshjen ndaj Barcelonës që ka sjellë këtë përplasje, por një sezon i tërë i tensionuar dhe plot keqkuptime me pjesën tjetër të skuadrës.

Braziliani është i pakënaqur nga fakti që është vënë në hije nga Kylian Mbappe dhe Jude Bellingham, të cilët sipas tij kanë “monopolizuar” vëmendjen mediatike, duke e lënë në hije pjesën tjetër të ekipit. Mediat spanjolle e kanë cilësuar këtë situatë si një “rebelim të brendshëm”, që vë në rrezik ekuilibrat në dhomat e zhveshjes.

Ndërkohë, të gjithë sytë janë nga Carlo Ancelotti, i cili pritet të dalë sot në konferencën e parë për shtyp si trajner i Brazilit, pas zyrtarizimit nga Federata Braziliane (CBF). Ironikisht, në grumbullimin e parë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit në qershor, Ancelotti do të punojë me dy nga lojtarët e tij aktualë te Real Madrid: Vinicius Junior dhe Rodrygo, në një situatë që pritet të jetë mjaft delikate.

Situata te Real Madrid po merr përmasa më të mëdha, me një verë që pritet të sjellë jo pak ndryshime në “Santiago Bernabéu”..



Lexoni të gjitha në Bota Sot