Merz: I takon Rusisë të marrë një vendim për të negociuar armëpushimin në Ukrainë

- Bota Sot

Merz: I takon Rusisë të marrë një vendim për të negociuar armëpushimin në Ukrainë

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha sot se i takon Rusisë të marrë një vendim – kur bëhet fjalë për hapat e ardhshëm në negocimin e përfundimit të luftës në Ukrainë.

Gjatë një konference për shtyp, së bashku me kryeministrin, grek Kyriakos Mitsotakis në Berlin, Merz tha se i takonte presidentit rus, Vladimir Putin të pranonte propozimin për të negociuar dhe për të rënë dakord për një armëpushim.

Merz, i cili mori detyrën javën e kaluar, udhëtoi në Kiev, fundjavën e kaluar së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Keir Starmer dhe kryeministrin polak, Donald Tusk – ku bënë thirrje për një armëpushim 30-ditor pa kushte duke filluar nga e hëna.

Por, pasi kaloi ky afat, fillimisht nuk ishte e qartë se si do të vepronin udhëheqësit evropianë, pasi më parë kishin hedhur poshtë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë për të nxitur përparimin në përfundimin e konfliktit trevjeçar.

Merz tha se Gjermania do të nxiste përpjekjet për të ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë – në bashkëpunim me partnerët evropianë nëse nuk do të kishte progres në negociata, këtë javë.

Kremlini iu përgjigj ultimatumit të armëpushimit duke ofruar të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën në Turqi, duke e nxitur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të thoshte se do ta priste Putinin në Ankara të enjten.

“Për të qenë i sinqertë me ju, e admiroj guximin e Volodymyr Zelensky për ta bërë këtë tani – pavarësisht rrethanave shumë të vështira”, tha Merz.

“Kjo tregon gjithashtu seriozitetin dhe në të njëjtën kohë gatishmërinë për kompromis – me të cilën ai është i përgatitur të bëjë gjithçka – për të shfrytëzuar mundësinë për një armëpushim dhe bisedime të paqes në Ukrainë”, shtoi kancelari gjerman.



Lexoni të gjitha në Bota Sot