Massimo Moratti, ish-presidenti historik i Interit, ka dhënë një tjetër intervistë, kësaj here për “Corriere della Sera”, ku ka folur për ecurinë e Interit dhe finalen e Ligës së Kampionëve. Ai ka veçuar disa prej lojtarëve, që e kanë impresionuar:
“Mua më pëlqen shumë Barella, është përmirësuar jashtëzakonisht. Një lojtar që të befason, driblon, lufton, është i rrezikshëm në sulm. Më pëlqen edhe Lautaro, është shumë i fortë. Më pëlqen Thuram, e njoh babain e tij”.
Për trajnerin Simone Inzaghi: “E kam ndryshuar mendimin tim.
Në fillim nuk e konsideroja të përshtatshëm për Interin, por në fakt është shumë i aftë, i përgatitur, i menaxhon mirë situatat më delikate, ka gjykim racional dhe është gjithmonë i qetë”.
Në fund, një koment për presidentin aktual të klubit, Beppe Marotta: “Po e bën shumë mirë punën e tij. Edhe unë e kisha kërkuar që në kohën kur ishte te Sampdoria”.
Mbi Interin e tij të preferuar: “Interi i madh i babait tim ishte një shembull dhe më mbetet në zemër, ishte ekuivalenti i ‘Beatles’. Unik, ashtu si ajo katërshe që tronditi një epokë të tërë. Nuk do të mund të gjeja krahasime muzikore për skuadrat e tjera që kam pasur si president.
Interi im i preferuar mes atyre që nuk fituan? Varet çfarë kuptohet me këtë… Ai i tripletës bëri histori, por jam shumë i lidhur edhe me djemtë e mrekullueshëm të vitit ’98, që nuk e fituan titullin vetëm për shkak të një vjedhjeje të Juventusit”.