Milani dhe Bologna do të përballen sonte për herë të dytë brenda pesë ditësh dhe këtë radhë për diçka më të madhe: për trofeun e Kupës së Italisë.
“Rossoneri” e kanë mundësinë që në “Stadio Olimpico” së paku të mundohen ta shpëtojnë një sezon dëshpërues.
Kuq e Zinjtë dhe Kuq e Kaltrit u përballën mes vete të premten në Serie A, ndeshje të cilën gjiganti italian e fitoi me përmbysje prej 3:1 duke i shënuar të tre golat në harkun e 18 minutave.
Kjo fitore ia shtoi shpresat për pjesëmarrje në Evropë ekipit të Sergio Conceicaos, ndërsa ia zvogëloi gjasat Bolognas për të përfunduar në Top 4 për të luajtur në Ligën e Kampionëve edhe në edicionin e ardhshëm.
Milani do ta kërkojë trofeun e dytë sezonal pas Superkupës së Italisë, të cilën e fitoi në fillim të vitit.
Këto dy ekipe janë përballur 188 herë në të gjitha garat, ndërsa Milani i ka 88 fitore, Bologna 53 dhe 47 ndeshje kanë përfunduar baras.
Në këtë edicion gjërat kanë qenë të balancuara me dy ekipet që fituan me përmbysje në Serie A.
Aktualisht, Bologna është e shtata në Serie A me 62 pikë, kurse Milani i teti me 60 sosh, dy xhiro pa përfunduar sezoni në kampionatin italian.
Këto dy skuadra do të luajnë mes vete në Kupën e Italisë për herë të parë pas gati 30 vjetësh, më saktësisht që nga 13 dhjetori i vitit 1995.
Bologna, nga ana e saj, do ta kërkojë trofeun pas pritjes prej 51 vjetësh.
Me një fitore eventuale sonte, Milani do ta siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm.
Ndeshja ndërmjet Milanit dhe Bolognës do të luhet sonte në Romë duke filluar nga ora 21:00.