TKZ ankohet se FShF-ja po i diskriminon me biletat për Shqipëri - Serbi

- Bota Sot

TKZ ankohet se FShF-ja po i diskriminon me biletat për Shqipëri - Serbi

Ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, që do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”, ka ngjallur reagime në mesin e tifo grupeve.

Derisa ditë më parë u raportua se tifozët nga Kosova do të jenë të përjashtuar nga kjo ndeshje, Federata Shqiptare e Futbollit doli me një deklaratë publike, ku tha se kjo nuk qëndron.

Megjithatë, tifogrupi i njohur i Kombëtares Shqiptare, Tifzat Kuq e Zi, po ankohen se po u vështirësohet pajimi me bileta për këtë ndeshje.

Përmes një postimi në Facebook, TKZ ka publikuar dy pamje të dy komunikimeve me FShF-në. Njëra nga TKZ e tjera nga Klubi i Tifozëve.

Derisa të dytëve, sipas asaj që ka publikuar TKZ, u është thënë nga FShF-ja se nuk kanë nevojë të regjistrohen për t’u pajisur me bileta dhe se vendet e tyre janë të rezervuara, TKZ-së u është thënë se do të përfshihen në një short se kush do të ketë “fatin” të marrë një biletë për këtë ndeshje.

“Kur je pjesë e Tifozëve të Kombëtares, fiton ‘shortin’ pa short. Kur je TKZ, të përjashtojnë në emër të ‘gjithëpërfshirjes’. Mashtrimi ka emër: Federata Shqiptare e Futbollit”, ka thënë ky grup i tifozëve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot