Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, u shpreh optimist për mundësinë e fitimit të La Ligës, pavarësisht se skuadra e tij ndodhet në një situatë të vështirë.
Real Madridi fitoi me shumë mund ndaj Mallorcas 2-1, duke i shtyrë Barcelonës titullin e kampionit në La Liga, pasi nëse do të barazonin atëherë katalunasit do të shpalleshin zyrtarisht kampionë.
“Duhet t’i fitojmë ndeshjet tona dhe të shohim çfarë ndodh,” tha ai pas ndeshjes.
Ancelotti theksoi se synimi kryesor ishte të shmangnin humbjen e pikëve dhe të mos ia dorëzonin titullin Barcelonës pa luajtur, derisa shtoi se çdo gjë mund të ndodhë në futboll.
“Ne nuk donim t’ua jepnim La Ligën sot. Ata duhet të luajnë të enjten”, deklaroi italiani.
Trajneri i “Los Blancos” tregoi sportivitet, duke thënë: “Nëse fitojnë, do t’i përgëzojmë. Nëse jo, do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha trajneri italian.
Real Madridi ishte vetëm 10 sekonda larg nga humbja e titullit, derisa Jacobo Ramon shënoi golin vendimtar për fitoren 2-1.
Ky rezultat i dha një frymëmarrje të shkurtër madrilenëve, por titulli mbetet shumë pranë Barcelonës me katalunasit që kanë nevojë vetëm për dy pikë nga tre ndeshjet e mbetura për të siguruar matematikisht titullin e kampionit.