Chiellini drejt rolit të ri te bardhezinjtë

- Bota Sot

Chiellini drejt rolit të ri te bardhezinjtë

Pas ndryshimeve të mëdha strukturore që nisën me largimin e njerëzve më të afërt të ish-presidentit Agnelli, klubi bardhezi nuk e ka ndalur rinovimin e vet në rang drejtues.

Një nga figurat që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në këtë fazë të re është Giorgio Chiellini, ish-kapiteni legjendar, që prej shtatorit është rikthyer në klub me bekimin e John Elkann. Ai mund të marrë një rol kyç si urë lidhëse mes fushës dhe zyrave drejtuese.

Në takimin e fundit të Ligës, zhvilluar në selinë e CONI-t, përpara finales së Kupës së Italisë, përfaqësimi i Juventusit ishte mbresëlënës: presidenti Ferrero, CEO Scanavino, drejtori teknik Giuntoli, drejtori i të ardhurave Calvo dhe vetë Chiellini.

Ai qëndroi për të ndjekur edhe ndeshjen në “Olimpico”, përkrah Giuntolit. Kjo prani e gjerë sinjalizon një aktivizim të fuqishëm të klubit në skenën institucionale. I pyetur nga gazetarët për pjesëmarrjen e tij të shpeshtë në këto mbledhje, Chiellini u përgjigj me humor: “Pse çuditeni? Nuk kam munguar në asnjë takim”.

Roli i Chiellinit pritet të marrë më shumë “peshë” pas dorëheqjes së afërt të Calvo (ende jo zyrtare). Fillimisht u afrua pranë Scanavinos për të mësuar nga proceset drejtuese, por tashmë po hyn edhe në sferën politiko-sportive që mbulonte Calvo. Ai pritet të bëhet ambasador i Juventusit në nivelin më të lartë institucional, por edhe të ketë rol operativ pranë Giuntolit si një figurë lidhëse mes drejtuesve dhe skuadrës.

Kredibiliteti i Chiellinit bazohet jo vetëm te karriera si futbollist dhe kapiten, por edhe tek formimi akademik. Ai ka diplomë në ekonomi e tregti, si dhe master në administrim biznesi, me temë mbi modelin e biznesit të Juventusit në krahasim me klubet ndërkombëtare.

Këto kualifikime dhe përvoja e tij në ECA e komisionin e UEFA-s për kompeticionet e klubeve i japin një profil shumë të vlerësuar në Europë.

Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, e ka vlerësuar publikisht: “Ka studiuar, është përgatitur edhe jashtë vendit, ndaj ka aftësi të jashtëzakonshme marrëdhëniesh”. Madje, Gravina e ka përmendur si një pasues të mundshëm të tij në të ardhmen.

Nëse Chiellini vazhdon të rritet në hierarkinë e Juventusit, ai mund të bëhet edhe përfaqësues i Serie A në Këshillin Federal të FIGC, në krah të Simonellit, Campoccias dhe Marottës. Një kapitull i ri drejtues po hapet për kampionin e Europës në “Wembley”. Ai është gati të nisë “ndeshjen” më të rëndësishme të jetës, në drejtimin e klubit që ka dashur gjithmonë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot