Mesfusha e Interit mund të pësojë një trazirë të vërtetë gjatë merkatos së verës.Ky nuk është një rregullim i thjeshtë, por, siç raportohet nga “Tuttosport” një tërmet i vërtetë.
Për momentin, vetëm Nikolo Barela, Hakan Çalhanoglu (përveç ndonjë kthese sensacionale…) dhe Piotr Zielinski duket se i kanë vendet e siguruara. Atyre do t’u bashkohet edhe talenti Petar Suçiç, i blerë nga Dinamo Zagreb .
Po pjesa tjetër e ekipit? Henrikh Mkhitarian, Davide Fratezi dhe Kristjan Asllani janë gati të largohen. Veterani armen është një figurë kyçe për Simone Inzagin, por ai e ka bërë të qartë se së shpejti mund t’i varë këpucët në gozhdë. Trajneri do të bënte gjithçka për ta mbajtur atë, por nëse Interi do të fitonte Ligën e Kampioneve, “Miki” mund t’i thoshte lamtumirë klubit.
Nga ana tjetër, Fratezi e pati të vështirë ta përtypte pak hapësirë që iu dha dhe në janar po përpiqej të ndryshonte atmosferë (me Romën dhe Napolin në vijë), vetëm për t’u bërë më pas heroi i Europës me gola vendimtarë. Me premtimin e një vendi titullar, ai do të ishte i lumtur të qëndronte, por stili i tij i lojës nuk duket se përputhet në mënyrë të përkryer me idetë e Inzagit, kështu që një lamtumirë nuk është aspak e pamundur.
Asllani është nën vëzhgim, klubi priste rritje të ndjeshme nga mesfushori i Kombëtares kuqezi, veçanërisht për sa i përket personalitetit. Transferimi i tij është në ajër, ndoshta në formë huazimi ose si pjesë e një shkëmbimi.
Pra, nëse Fratesi vendos të bëjë gati valixhet, Interi tashmë zëvendësuesin gati, Suçiç.
Por nëse Asllani dhe Mkhitarian do të thoshin lamtumirë, do të nevojiten përforcime të përshtatshme. Për rolin e zëvendësit të Çalhanoglu, zikaltërit ia kanë vënë syrin Hans Nikolusi Kavilja të Venecias, por edhe Samuele Riçi të Torinos, çmimi i të cilit, megjithatë, është tashmë mbi 30 milionë euro, dhe Milani ka qenë në pozicionin e parë për një kohë.
Ndër alternativat është Morten Frendrup i Xhenoas, ndërsa Marota dhe Auzilio do të duhet të vendosin nëse do ta ushtrojnë opsionin e blerjes për Xhovani Fabian të Bolonjës, i cili kushton 12 milionë.
Dhe pastaj është ëndrra e ndaluar: Niko Paz, i cili është magjepsës në Komo si mesfushor sulmues. Inzagi do ta shihte atë si një Luis Alberto të ri, perfekt dhe si lojtar i nivelit të lartë. Por Çesk Fabregas dhe Real Madrid kanë plane të tjera.