Masimo Morati më 16 maj do të festojë 80-vjetorin dhe shpreson që Interi t’i bëjë një dhuratë të dyfishtë ish-presidentit të saj. Tifoz besnik i zikaltërve, Morati ka goditur sërish Juventusin për episodin e famshëm mes Ronaldos dhe Iulianos në vitin 1998, ku ka zbuluar blerjen më të madhe dhe njëkohësisht gabimin më të madh që ka bërë në merkato.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Morati ka pranuar se ka ndryshuar mendim për Simone Inzagin. Ndërkohë, për “Gazzetta dello Sport, Morati ka folur me nostalgji për një nga skuadrat e tij të preferuara që nuk arriti të fitonte.
“Djemtë e mrekullueshëm të vitit 1998 që nuk fituan titullin vetëm për shkak të një ‘vjedhjeje’ nga ana e Juventusit”, tha ish-presidenti. Blerja më e dashur për të? Andrea Pirlo. “Pirlo ishte një blerje e veçantë sepse e negociova vetë. Firmosa kontratën në ashensor, pasi i thashë presidentit të Breshas se duhej mbyllur shpejt”. Por pikërisht Pirlo është edhe gabimi më i madh i karrierës së tij. “Ishte gabim ta shisnim, aq më tepër te Milani.
Një lloj Çalhanoglu në të kundërt, edhe pse turku erdhi si lojtar i lirë”, thotë ai. Por presidenti është i pasigurt për çfarë dhurate do të donte nga Interi për ditëlindjen e tij. “Të fitojmë një tjetër titull kampioni do të më pëlqente shumë, por Liga e Kampionëve ka një shije të veçantë. Po e lë zgjedhjen në duart e atyre që duhet ta bëjnë”, sqaron ai.
Në fund, një rikthim mbi gjykimin për trajnerin aktual të Interit, Simone Inzagi. “E kam ndryshuar mendimin për të.
Në fillim nuk e konsideroja të përshtatshëm për Interin, por në fakt është shumë i zoti, i përgatitur, di të menaxhojë situatat delikate, ka shumë mend të shëndoshë dhe mbetet gjithmonë i qetë”, sqaron ai. Më tej tregon edhe një prapaskenë të së kaluarës. “Kisha interes për Marotën kur ishte te Sampdoria”, thotë Morati.