Delegacioni rus kërcënoi Ukrainën me "luftë të përjetshme" gjatë bisedimeve të drejtpërdrejta sot në Stamboll.
Kështu tha një burim nga delegacioni ukrainas për Sky News. Sipas të njëjtit burim, pala ruse nuk ishte e gatshme të diskutonte detajet teknike të armëpushimit, pasi dyshohet se po prisnin miratimin nga autoritetet më të larta.
Më herët gjatë ditës, burimet ukrainase kishin paralajmëruar tashmë se kërkesat ruse ishin "joreale" dhe "shumë përtej çdo gjëje të diskutuar deri më tani".
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha se negociatorët ukrainas dhe rus ranë dakord në parim për një raund të ri bisedimesh, pas takimit të sotëm në Stamboll.
Ai në një postim në platformën X konfirmoi se të dyja palët kishin rënë dakord të shkëmbejnë 1000 robër lufte secila si një masë për ndërtimin e besimit.
Ai gjithashtu deklaroi se palët janë zotuar të përcaktojnë me shkrim kushtet në të cilat do të ishte i mundur një armëpushim dhe se Turqia do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të arritur paqen e qëndrueshme Rusi-Ukrainë.
Kujtojmë, ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov drejtoi delegacionin ukrainas në bisedimet e para të drejtpërdrejta midis dy vendeve ndërluftuese në më shumë se tre vjet, ndërsa Vladimir Medinski kryesoi delegacionin rus.