Portugalia, Franca dhe Gjermania, kundërshtarë të vështirë për Shqipërinë U-17

- Bota Sot

Portugalia, Franca dhe Gjermania, kundërshtarë të vështirë për Shqipërinë U-17

Tre kundërshtarët e kuqezinjve nën 17 vjeç, me të cilët do të përballen në finalet e Euro “Shqipëri 2025”, janë emra të mëdhenj të futbollit evropian dhe atij botëror. Portugalia, Franca dhe Gjermani kanë një përvojë të madhe në veprimaritë ndërkombëtare dhe mbajnë mbi supe tituj evropianë e botërorë. Kundërshtarë të vështirë për kuqezinjtë e trajnerit Tedesco në këtë evropian, ndaj të cilëve kombëtarja jonë do të mundohet të japë më të mirën.

Edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e finaleve të Kampionatit Evropian të nën 17 vjeçarëve, veprimtari kjo që do të zhvillohet në Shqipëri. Kuqezinjtë e trajnerit Andrea Tedesco janë njohur tashmë me kundërshtarët me të cilët do të përballen në këto finale. Padyshim që janë emra të mëdhenj të futbollit evropian dhe atij botëror, si: Portugalia, Gjermania dhe Franca. Skuadra që mbajnë mbi supe tituj evropianë dhe botërorë. Kombëtarja shqiptare U-17 do ta nisë aventurën në Euro “Shqipëri 2025” me ndeshjen kundër Portugalisë, në 19 maj, në orën 18.00 në “Arena Kombëtare”.

Portugezët e kësaj moshe kanë fituar dy Kupa të Evropës në 2002 dhe 2016, ndërsa në botë rezultatin më të mirë e ka arritur në 1989 kur ka zënë vendin e tretë.

Në përbërje të saj, ka lojtarë nga 4 skuadrat kryesore të kampionatit kombëtar si: Benfika, Porto, Sporting e Braga dhe drejtohet nga trajneri Zhoao Santos.

Një kundërshtar tepër i fortë është edhe Gjermania, që ka fituar 4 herë kampionatin evropian në 1984, 1992, 2009 dhe 2023 si dhe një kupë bote po në 2023. Në përbërje të saj ka lojtarë nga Bajerni i Myunihut, Borusia dortmund, Borusia Munshengladbah, të cilët drejtohen nga trajneri Mark patrik Meister. Me gjermaninë, Shqipëria do të përballet në 22 maj në orën 18.00 në “Elbasan Arena”.

Aventurën në eliminatoret e grupit A, Kombëtarja jonë e nën 17 vjeçarëve do ta mbyllë me ndeshjen ndaj Francës, kampione bote në 2001, 3 herë kampione e evropës në 2002, 2015 dhe 2022. Në përbërje të saj ka lojtarë nga Paris sën Zhërmen, Milan, Nantë, Lens, ren, Montpelje, Nis etj. Me Francën kuqezinjtë do të përballen në 25 maj në orën 20.30 në “Elbasan Arena”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot